Lajme

Propozimi për ndërrimin e Kodit të Punës për besimtarët myslimanë, Shala: E papranueshme

06/13/2025 09:30
nga:Sh R

Një ide e dalë nga deputeti i PD-së në Shqipëri, ka zënë vend edhe në Kosovë.

Lefter Gështenja ka propozuar ndryshimin e kodit të punës, duke kërkuar që të premteve besimtarët myslimanë të kenë dy orë pauzë, në mënyrë që të kenë kohë për faljen e namazit të xhumasë.

A do të ishte e mundur kjo në shtetet laike siç është edhe Kosova?

Imami Jahir Beqiri ka përshëndetur këtë propozim.

“Nuk ka asnjë të keqe, dita e xhumasë është dita më e mirë e javës, jemi të thirrur nga Allahu, që kur të thirret ezani në të ditën e xhumasë të lënë shitblerjen dhe të thërrasin emrin e Zotit”, u shpreh Imami Beqiri.

Ndërkaq historiani Azdren Shala tha se problemi në këtë propozim është sistemi i vlerave perëndimore, vlerat e krishterimit dhe të islamit, që sipas tij këto dy vlera nuk shkojnë bashkë.

“Kërkesa për ndërrimin e Kodit të Punës, për mua është nisja e një tendence për të suprimuar shtetin laik në favor të shteteve fetare, kjo për mua është e papranueshme”, tha Shala.