Eksperti i çështjeve të sigurisë dhe politikës së jashtme, Adrian Shtuni, ka reaguar në lidhje me propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për krijimin e një Qeverie Nacionale Tranzicioni, duke e cilësuar këtë iniciativë si një veprim të matur dhe të përgjegjshëm në kohën e një ngërçi politik e krize institucionale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shtuni ka theksuar se kjo ide përputhet me atë që ai vetë kishte sugjeruar menjëherë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, ku kishte kërkuar një konsensus të gjerë politik për të garantuar stabilitetin dhe për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve politike e institucionale.
Shkrimi i plotë:
Propozimi i LDK-së për Qeveri Nacionale Tranzicioni është një propozim i matur e i përgjegjshëm që mund t’i mundesojë Kosovës daljen nga ngërçi politik dhe kriza institucionale që e ka kapluar në nje kohë mjaft delikate.
Kjo është pikërisht ajo që kam sygjeruar menjeherë pas zgjedhjeve (shih më poshtë intervistën në Dukagjini TV në 11 Shkurt), gjegjësisht që në situatën aktuale plot pasiguri dhe sfida vendimtare, të gjithë politikanët e përgjegjshëm në Prishtinë duhet të bëjnë nga pak kompromis për të gjetur një formulë konsensusi politik që do t’i shërbente stabilitetit të Kosovës dhe avancimit të interesave madhore afatgjata të vendit.
Gjetja e një formule të pranueshme bashkëqeverisëse do të përbënte një hap të mirë fillestar në drejtimin e duhur, një korigjim kursi që do të duhej të mos vonohej e te pasohet edhe nga hapa të tjerë kompromisi e bashkëpunimi për të dale nga balta e polarizimit politik e shoqeror që sjell kosto të rënda që Kosova nuk ka as pse as si t’i paguaj. Uroj që maturia të fitojë!


