Analisti politik, Arbnor Sadiku, ka folur për propozimin e LDK-së për “Qeveri të Unitetit”.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, e ka quajtur si ide të qëlluar, duke marrë parasysh situatën në të cilën gjendet vendi, në ngërç institucional.
Sipas tij, janë dy opsione për zgjidhjen e krizës aktuale politike, formimi i një qeverie kalimtare deri në zgjedhjen e presidentit të ri, ose shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Sadiku vlerëson se në këtë mënyrë VV po bën qeverisje anarkike.
“Çfarëdo qeverie që do të duhej të bëhej për këta 7-8 muaj deri në zgjedhjen e presidentit do të ishte e kuptueshme dhe normale dhe propozimi i LDK-së është i duhur, sido që të quhet, por do të duhej një qeveri e unitetit ku do të ishin të gjitha partitë dhe do të votoheshin çështje si Asociacioni, buxheti i shtetit pas 6 muajsh dhe do ta ndalte një njëfarë forme anarkinë në qeverisje sepse duke mos qenë që ka dalë në zgjedhjet e fundit 2025 mund të marrë vendime që janë anarkiste dhe që nuk kanë legjitimitet dhe e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë është krijimi i një qeverie kalimtare ose shkuarja në zgjedhje të reja parlamentare. Sido që të jetë, partia e parë ka më shumë përgjegjësi dhe do të duhej t’i printe këtij opsioni, ose ta krijojë një qeveri të re, ose ta dërgojë vendin në zgjedhje. Çdo vazhdim i një status quo-je dhe pa ditur si të dilet në krye dhe marrja e vendimeve në mënyrë jokushtetuese, vendin e çon në një lloj anarkie që nuk është e dëshirueshme në demokraci”, është shprehur ai.
Analisti vlerëson se VV-së aktualisht i konvenon qëndrimi në pushtet dhe është komod, pasi nëse bën qeverinë e re duhet ta ndajë pushtetin.
“Ideja është që VV është në një pozicion shumë të lakmueshëm sepse është në pushtet dhe çfarëdo qeverie që do të bëhej ajo do të duhej ta ndante pushtetin me partnerët dhe kësisoj duke qenë e bllokuar ajo po qeverisë vet dhe në të njëjtën kohë është komode dhe edhe po të shkohet në zgjedhje ajo mund të ketë një rënie por do të dalë partia e parë dhe prapë do ta kërkojë kryeministrin”, ka theksuar Sadiku për Gazeta Blic.
Po ashtu, ai potencon se presidentja duhet të drejtohet te Gjykata Kushtetuese lidhur me krizën dhe të ketë zgjidhje edhe për kriza të ardhshme.
“Duke e pasur parasysh këtë situatë, e vetmja zgjidhje është ose presidentja, ose 10 deputetë ta çojnë rastin në Kushtetuese që të kërkojnë një opinion të ri të Gjykatës që pas dështimit 3 herë të zgjedhjes së kryetarit të kuvendit, a do të mund t’i takonte e drejta e propozimit partisë apo koalicionit jofitues. Kjo mendoj se do të ishte zhbllokimi edhe për situatat e ardhshme kur do të ndodhej Kosova në kriza të tilla që mos të vijmë në gjendje të tilla siç jemi aktualisht. Por, për momentin mënyra e vetme për të dalë nga kjo krizë është që të kemi një qeverisje të përkohshme deri në zgjedhjen e presidentit, ose shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Arbnor Sadiku./Gazeta Blic/


