Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dërguar komente në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë lidhur me tarifat për propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Në raportin e LDK-së, thuhet se tarifat e propozuara nga ZRrE-janë të papërballueshme, si dhe kanë propozuar që këto të mbeten të pa ndryshuara deri në fund të këtij viti.
Tutje, kanë propozuar që Qeveria e vendit duhet të largojë TVSH-në për energji elektrike për të gjithë konsumatorët.
“Qeveria gjithashtu të subvencionojë energjinë për të gjithë konsumatorët njëjtë, në mënyrë që të mbajë tarifat ashtu siç janë deri në fund të këtij viti. ZRRE të hapë diskutimet në fillim të qershorit me të gjitha palët e interesit për shqyrtimin e tarifave, zbatimi i të cilave do të fillojë prej datës 1 janar 2023”, thuhet në dokumentin e LDK-së
Ndër të tjera, kërkohet që Qeveria të angazhohet për themelimin e “Fondit për konsumatorët në nevojë”.
Po ashtu, propozimin e ZRrE-së për energjinë elektrike e quajnë si diskriminues, të pabarabartë për të gjithë qytetarët si dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Në raportin e LDK-së, thuhet se ata kanë analizuar raportin konsultativ të ZRrE-së mbi shqyrtimin e strukturës tarifore për konsumatorët e rregulluar amvisërisë të shërbyer në FSHU.





