Sporti

Pronari i Milanit kontakton atë të Interit, kryefjala është stadiumi i ri

02/19/2024 11:30
nga:E K

Pronari i Milanit, Gerry Cardinale ka telefonuar homologun e tij te Interi, Steven Zhang, për t’i ofruar që të dy skuadrat të ndërtojnë një stadium të ri në zonën e San Donatos, ku kuqezinjtë kanë blerë edhe tokën për shumën e 40 milionë eurove.

Një stadium i ri, modern dhe me 70 mijë vende, natyrisht që kushton, ndaj te Milani duan të ndajnë kostot dhe ta ndërtojnë më shpejt, për të vijuar ta kenë në bashkëpronësi me Interin.

Nuk dihet ende përgjigja e zikaltërve, ndërkohë që presidenti i Milanit, Paolo Scaroni është ndalur te kjo temë në prag të ndeshjes së kuqezinjve ndaj Monzës. Ai tha se pavarësisht përgjigjes së Interit, Milani do të çojë përpara projektin, teksa theksoi se “San Siro” mbetet një prioritet.

“Pronarët flasin me njëri-tjetrin dhe kjo është normale, por mund t’u them se Milani ecën përpara me projektin për të ndërtuar stadiumin e ri. Kemi blerë pronën dhe po përgatitim projektin. Natyrisht ‘San Siro’ përfaqëson një histori të tërë dhe do të na pëlqente të qëndronim aty, por është një stadium i vjetër. Që të rikonstruktohet, do të thotë që të dy klubet të mos kenë ku të luajnë. Pashë projektin e ofruar nga WeBuild, që thotë se mund ta rikonstruktojë ndërkohë që ka ndeshje, por më duket e vështirë. Në planin e tyre ka shumë nëse dhe por, ndaj të shohim”, u shpreh Scaroni.