Sporti

Pronari i Milan ka prioritet rinovimet: Fillimisht Pioli, pastaj Leao

09/22/2022 10:28
nga:E K

Sipas La Gazzetta dello Sport, pronari i Milanit, Gerry Cardinale, do të kthehet në Itali në fillim të tetorit me zgjatjen e kontratave të Stefano Piolit dhe Rafael Leaos në prioritetet e tij.

Milani do të përballet me ndeshje vendimtare me Chelsean në Ligën e Kampionëve dhe Juventusin në Serie A kur sezoni të rifillojë pas pushimit të kombëtareve, kurse biznesmeni amerikan pritet të marrë pjesë në të dyja ndeshjet në San Siro, pretendon raporti, përcjell GazetaBlic Sport.

Cardinale po “planifikon një rikthim në Itali” gjithashtu për të marrë në dorë çështjet jashtë fushës, duke përfshirë kontratat e reja për Pioli dhe Leao.

Trajneri është nën kontratë deri në vitin 2024, por Milani ka një opsion për të vazhduar edhe për një sezon, dhe Cardinale është i gatshëm ta aktivizojë atë dhe t’i japë vazhdimësi projektit të Piolit në San Siro.

Marrëveshja e Leaos përfundon gjithashtu në qershor 2024, por negociatat me sulmuesin portugez janë më të ndërlikuara. Rafa i detyrohet rreth 16 milionë euro ish-klubit të tij Sporting CP, për ndërprerjen e njëanshme të kontratës së tij në 2018. Edhe pse raportimet më të fundit në Itali sugjerojnë se ai dëshiron të rinovojë, asgjë nuk mund të merret si e mirëqenë në këtë fazë.

/GazetaBlic Sport/