Kampioni i Maqedonisë në futboll, FC Shkupi është duke u përgatitur në Turqi ku po përgatit formën për turin e parë kualifikues të Champions League. Me skuadrën është edhe presidenti dhe pronari i klubit Olgun Aydin, i cili në një intervistë për “TRT Spor” nga Turqia ka folur për ambiciet e klubit.
Në turin e parë kualifikues të Champions League, Shkupi do të luajë kundër Lincoln nga Gjibraltari. Aydin thotë se synimet e klubit janë të larta dhe si shembull janë marrë Dinamo e Zagrebit nga Kroacia dhe Ludogorets nga Bullgaria.
“Nuk është e lehtë të bëhesh kampion, sidomos kur merr përsipër një klub nga një vend tjetër. Por sigurisht që ne ecim rrugën tonë. Ne përpiqemi të vendosim një model dhe të kemi një ekip si, për shembull, Dinamo e Zagrebit ose Ludogorets. Kur arritëm, Shkupi ishte i dyti nga fundi. Vitin e parë e përfunduam si të tretët. Pastaj të dytët. Tani jemi bërë kampionë. Ne duam të kemi një ekip që do të ketë një ekip të mirë dhe kushte të mira. Ne po ecim ngadalë në rrugën e përcaktuar”, tha Aydin.
Shkupi i drejtuar nga trajneri Goce Sedloski ishte dominues në LPFM dhe fitoi me meritë titullin. Çairasit erdhën në fron pas shumë kohësh dhe i presin të ardhura të mira nga kualifikimet për Champions League.


