Lajme

Promovohet libri ‘Lufta për Kosovën’ i autorit Rasim Selmanaj, uron Daut Haradinaj: Isha frymëzuar nga Rasimi dhe familja Selmanaj

01/26/2025 19:34
nga:G B

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka marrë pjesë në promovimin e shpalosjes së librit të ri “Lufta për Kosovën” me autor kandidatin për deputet, Rasim Semanaj.

Daut Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ishte frymëzuar nga Rasim Selmanaj dhe familja e tij.

“Qysh në fillim të viteve ’90, unë si i ri frymëzimin e mora pikërisht nga këta burra, pikërisht nga Rasimi, i cili për çështjen kombëtare kishte rënë në burg tri herë deri atëherë, për t’u burgosur prapë edhe në vitet ’90 dhe përfundimisht herën e fundit më 24 mars 1998. Këto rrethana vetëm sa na dhanë më shumë zjarr, më shumë motiv për të mos u dorëzuar deri në ditën kur të largohej çizmja e fundit e Millosheviqit”, ka thënë Haradinaj.

Postimi i plotë:

Rrugëtimi me Rasimin është histori e gjatë, pikërisht histori që duhet të dokumentohet në libra.

Një familje e tërë dhe një jetë e tërë kushtuar atdheut, qysh në vitet ’80, në lëvizjet e para për liri, kur pak kush guxonte. Të burgosur politikë e të përndjekur politikë, Aliu e Nazmiu bashkë me Smajl Haradinaj, të maltretuar e dënuar pa gjyq, vetëm sepse guxuan të flisnin me zë për KOSOVËN REPUBLIKË. Patriotë të një linje, bashkë me Jusuf Gërvallën e të tjerë, që nuk u intimiduan nga një superfuqi fashiste e asaj kohe, edhe pse kjo i kushtoi me jetë: të vrarë, të burgosur, të internuar.

Qysh në fillim të viteve ’90, unë si i ri frymëzimin e mora pikërisht nga këta burra, pikërisht nga Rasimi, i cili për çështjen kombëtare kishte rënë në burg tri herë deri atëherë, për t’u burgosur prapë edhe në vitet ’90 dhe përfundimisht herën e fundit më 24 mars 1998. Këto rrethana vetëm sa na dhanë më shumë zjarr, më shumë motiv për të mos u dorëzuar deri në ditën kur të largohej çizmja e fundit e Millosheviqit.

Shtatë herë i burgosur, shtatë herë i ringritur, ky është Rasim Selmanaj, njeriu i penës së çështjes kombëtare. Kryetitull i jetës së tij do duhej të ishte “Burg për Liri”.

Sot, me kënaqësinë më të madhe, isha pjesë e ceremonisë së shpalosjes së librit të tij të ri Lufta për Kosovën. Pak kush e di më mirë se Rasimi se si ishte kjo luftë: kur filloi, përpjekjet dhjetëra vjeçare, vuajtjet… dhe triumfi.

Të priftë e mbara, Rasim Selmanaj!