Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur shqyrtimi gjyqësorë kundër 13 të akuzuarve për bixhoz të jashtëligjshëm, ku prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu-Krasniqi ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “krim i organizuar” në atë të “organizimit të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm”.
Prokurorja Fejzullahu-Krasniqi tha se me veprën penale “organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm” pas ricilësimit juridik ngarkohen Mentor Maqani, Flakron Maqani, Granit Nikqi, Visar Haxhijaj, Arbent Ramadani, Fadil Bytyqi, Sefer Berisha dhe Ardian Hasani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse për të akuzuarit Rrahim Bërbatovci, Qun Mengjiqi, Mentor Kika dhe Artan Quni prokurorja i ricilësoi veprat penale, po ashtu, nga “krim i organizuar” në atë të “ndihmës në kryerje e veprës penale organizimit të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm”.
E ndaj Orhan Elshanit, prokurorja Fejzullahu-Krasniqi hoqi dorë nga ndjekja penale.
Pas këtij ricilësimi juridik, të gjithë 13 të akuzuarit sërish u deklaruan të pafajshëm.
Seanca vijoi me fjalën përfundimtare ku prokurorja Fejzullahu-Krasniqi tha se pas analizimit të gjitha provave materiale dhe personale u vërtetua se të akuzuarit në bashkëkryerje janë përfshirë në veprat penale për të cilat u bë edhe ricilësimi i tyre nga aktakuza.
Po ashtu prokurorja Fejzullahu-Krasniqi tha se nga 84 aparate të lojërave të fatit të sekuestruara, 18 prej tyre kanë rezultuar se janë dublifikuar ose falsifikuar dhe se kërkoi që dëshmitë e dhëna gjatë fazës së hetime nga të akuzuarit gjykata t’u fal besimin sepse sipas janë ato janë bindëse.
“Dëshmitë e dhëna në procedurë parapenale janë më të freskëta dhe me bindëse dhe kërkoj nga gjykata që dëshmive të njëjta t’ua falë besimin”, tha prokurorja Fejzullahu-Krasniqi.
Seanca vijoi me fjalë nga mbrojtësi i të akuzuarit Mentor Maqani, avokati Florent Latifaj i cili tha se gjatë gjithë procesit gjyqësorë kanë pasur prezentë një aktakuzë që nuk ka folur për veprime individuale të të akuzuarve andaj propozoi që klienti i tij të lirohet nga akuza.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Flakron Maqani, avokati Naim Rudari, tha se vet prokuroria ka pasur mëdyshje lidhur me ngritje e aktakuzës duke kërkuar edhe kohë shtesë për ngritje e saj e duke propozuar gjykatës në fund që ndaj klientit të tij të nxjerr aktgjykim lirues.
Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Granit Nikqi, avokati Arsim Krasniqi, tha se klienti i tij nuk ka qenë përgjegjës për licencim të aparateve të lojërave të fatit, si dhe në fund të fjalës përfundimtare kërkoi nga gjykata që klientin e tij ta shpallin të pafajshëm.
Gjithashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarit Haxhijaj avokatja Lule Bilalli-Imeri tha prokuroria nuk mund t’i kërkojë gjykatës dënimin e të akuzuarve në mungesë të provave. Andaj, edhe avokatja Billai-Imeri i propozoi trupit gjykues që ndaj klientit të tij të marrë aktgjykim lirues.
Fjalën përfundimtare e dha edhe mbrojtësja e të akuzuarit Arbent Ramadani, avokatja Mevlude Qerimi duke thënë se ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë inkriminuese andaj edhe i propozoi gjykatës që të njëjtin ta shpallë të pafajshëm.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Bytyqit, avokati Hajdin Dërguti fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim duke thënë se qëndron në tërësi prapa saj.
Seanca vijoi me mbrojtësen e të akuzuarit Bërbatovcit, avokaten Flutura Hoxha e cila në fjalën përfundimtare tha se klienti i saj nuk ka të bëjë farë me këtë çështje penale, nuk njeh asnjërin nga të akuzuarit andaj i propozoi gjykatës që të njëjtit ta lirojë nga aktakuza.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Mengjiqi, avokati Flamur Bllacaku tha se nga gjatë provave të administruar në shqyrtimet gjyqësorë është vërtetuar se klienti i tij është i pafajshëm prandaj i propozoi gjykatës që të njëjtin ta shpallë të pafajshëm.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Feka, avokati Halim Kuliqi na fjalën e tij përfundimtare i propozoi gjykatës që ndaj klientit të tij të shpallet aktgjykim lirues në mungesë të provave.
Kurse mbrojtësja e të akuzuarit Berisha, avokatja Shyrete Shalaku tha se për veprën penale me të cilën akuzohet klienti i tij pas ricilësimit, ishte hedhur kallëzimi penal nga Prokuroria Themelore në Prishtinë andaj kërkoi që ndaj tij të shpallet aktgjykim lirues ose edhe refuzues.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Quni, avokati Kastriot Feka tha se i mbrojturi i tij ishte fillimisht në cilësi të dëshmitari në këtë çështje penale duke kërkuar kështu në fund që ndaj tij gjykata të shpallë aktgjykim lirues.
Në fund mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Rrahim Ajeti tha se klienti i tij kishte punuar afërsisht 6 muaj në lokal të lojërave të fatit, ka qenë vetëm punëtor i thjeshtë dhe se në fund kërkoi që të shpallet aktgjykim lirues dhe se në të kundërtën ndaj tij do shkaktojë padrejtësi e madhe.
Paraprakisht, ndaj të akuzuarit tjetër Orhan Elshanit, gjykata kishte marrë vendim që ndaj të njëjtit të zhvillohet gjykimi në mungesë, porse mbrojtësi i tij, avokati Ridvan Kajtazi, duhet të jetë prezent gjithherë.
Ndaj Shpëtim Rexhës, Fatmir Shalës dhe Shpëtim Babaj, për shkak se të njëjtit gjenden jashtë shtetit dhe për hirë të ekonomizimit dhe përfundimit të çështjes penale ndaj të tjerëve kjo çështje ishte veçuar ndaj tyre.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast pritet të bëhet më 18 tetor 2023.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 23 shtator 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj Shpejtim Rexha, Mentor Maqani, Flakron Maqani, Granit Nikqi, Visar Haxhijaj, Arbent Ramadani, Fadil Bytyqi, Rrahim Bërbatovci, Qun Mengjiqi, Shpetim Babaj, Mentor Kika, Sefer Berisha, Fatmir Shala, Artan Quni, Ardian Hasani dhe Orhan Elshani.
Ata akuzohen se duke vepruar si grup kriminal kanë kryer veprën penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Sipas aktakuzës, të lartcekurit, duke vepruar si grup kriminal i organizuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët, kanë organizuar dhe kanë marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit të përcaktuara me ligj, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për lojërat e fatit.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Shpejtim Rexha fillimisht kishte siguruar licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën nën firmën “Market Plus” e pastaj aksionet ia kishte bartur të pandehurit Flakron Maqani, i cili të njëjtën firmë e kishte regjistruar në ARBK nën firmën “Market Plus 1” dhe “Las Vegas”, ashtu që sipas marrëveshjes me të pandehurit e tjerë të cilët kanë vepruar në pika të ndryshme në tërë territorin e Kosovës, në vazhdimësi dhe pa licencë dhe pa leje pune të organeve kompetente, kanë siguruar dhe shpërndarë aparate të ndryshme të lojërave të fatit si: roleta, aparate të markave “Kajot” “Apec”, “Merkur” si dhe aparate të tjera të lojërave si “Keno”, aparate pa numra serikë, aparate me numra serikë të falsifikuar.
Përmes kësaj veprimtarie, sipas aktakuzës ata kanë fituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme në shumë prej 15,337.63 eurove.
Tutje në aktin akuzues thuhet se i akuzuari Shpejtim Rexha, në cilësinë e pronarit “Market Plus” në vitin 2009, me dashje dhe vetëdije ka regjistruar biznesin për organizimin e lojërave të fatit dhe bixhozit dhe pas regjistrimit në bashkëpunim me të akuzuarit Flakron e Mentor Maqanin dhe Granit Nikqin, aparatet e falsifikuara i kishin shpërndarë nëpër Kosovë.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Visar Haxhijaj, Orhan Elshani, Rrahim Bërbatovci, Fadil Bytyqi, Arbent Ramadani, Artan Quni, Shpëtim Babaj, Ardian Hasani, Fatmir Shala, Sefer Berisha, Mentor Kika dhe Granit Nikqi, nga koha e pacaktuar deri në datën e kontrollit nga policia, të cekura në aktakuzë, në cilësinë e menaxherëve të lokaleve të ndryshme, kishin ushtruar veprimtari të paligjshme të bixhozit, ku me rastin e kontrollit u janë konfiskuar disa aparate të lojërave të fatit.


