Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, të enjten, ka deklaruar se prokuroria ka parashikuar se do i duhen 234 orë e gjysmë për marrjen në pyetje të 12 dëshmitarëve të parë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Gjatë konferencës për medie, Doyle ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai bëri të ditur se në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, trupi gjykues nxori Vendimin e Gjashtë mbi Pjesëmarrjen e Viktimave më 8 mars, ndërsa tha versioni i redaktuar publik doli të premten e javës së kaluar. Sipas tij, vendimi gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.
“Në Vendim, gjykatësit pranuan tre parashtrues të tjerë kërkesash si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor, të cilët do të përfshihen në grupin ekzistues të viktimave pjesëmarrëse dhe do të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës viktimash. Bashkë me ta, numri i gjithsejtë i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 140”, tha Doyle.
Sipas tij, dje, kryetarja e DHSK-së, Ekaterina Trendafilova, caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit për të vendosur në lidhje me apelin e paraqitur nga një mbrojtës që përfaqëson 19 persona të cilëve iu rrëzua kërkesa për të marrë pjesë si viktima në procesin gjyqësor, si dhe lidhur me apelin e paraqitur nga një mbrojtës tjetër, përfaqësues i një personi të cilit gjithashtu iu rrëzua kërkesa për pjesëmarrje.
“Anëtarët e Panelit janë gjykatësja Mishelë Pikar, gjykatësi Emilio Gati dhe gjykatësi Kai Ambos. Në vijim të një urdhri të Trupit Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë, Prokuroria dorëzoi më 10 mars informacion për kohën që parashikon se do të nevojitet për marrjen në pyetje të 12 dëshmitarëve të parë në këtë çështje gjyqësore nga Prokuroria, Mbrojtja dhe mbrojtësi i viktimave. Prokuroria parashikon se do të nevojiten gjithsej 234 orë e gjysmë për marrjen në pyetje të këtyre dëshmitarëve”, bëri të ditur ai.
Doyle ka thënë se në bazë të Rregullores dhe Urdhrit të Trupit Gjykues mbi Zhvillimin e Procesit, çdo dëshmitar i thirrur nga Prokuroria do të pyetet në fillim prej Prokurorisë.
“Më pas mbrojtësi i viktimave do të ketë mundësi t’i bëjë pyetje dëshmitarit, me kërkesë, dhe nëse e lejojnë gjykatësit. Pas kësaj, mbrojtësit e të akuzuarve do të kenë mundësi t’i bëjnë pyetje dëshmitarit dhe, në përputhje me Rregulloren, Trupi Gjykues gjithashtu mund t’i drejtojë pyetje dëshmitarit”, tha tutje ai.
Sipas tij, deklaratat hyrëse nga prokuroria, mbrojtësi i viktimave dhe mbrojtja janë planifikuar të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill 2023, ndërsa paraqitja e provave nga prokuroria është planifikuar të fillojë më 11 prill 2023.
“Konferenca për ecurinë e çështjes gjyqësore do të mbahet më 20 mars, që u paraprin deklaratave hyrëse. Rendi i ditës për këtë seancë përgatitore doli dje dhe gjendet në faqen e internetit të DHSK-së. Në të njëjtën çështje gjyqësore, versioni i redaktuar publik i dosjes paraprake të Kadri Veselit u dorëzua këtë javë. Versioni konfidencial i dosjes u dorëzua në tetor 2022”, shtoi ai.
Tutje, sqaroi se dosja paraprake e mbrojtjes është një dokument ku mbrojtja e të akuzuarve përshkruan në përgjithësi natyrën e mbrojtjes së të akuzuarit, akuzat dhe pikat që i akuzuari kundërshton dhe arsyet pse i kundërshton, si dhe një listë me dëshmitarët e mundshëm që mbrojtja synon të thërrasë gjatë gjykimit.
Seancat në çështjen gjyqësore Pjetër Shala tha se rifillojnë më 27 mars në orën 9:30, me fillimin e paraqitjes së provave dhe thirrjen e dëshmitarëve nga prokuroria.
“Për shkak të arsyeve humanitare bindëse, Gjykatësi i Vetëm udhëzoi Zyrën Administrative të organizonte një vizitë humanitare të z. Gucati në Kosovë, për të takuar anëtarët e familjes së ngushtë. I akuzuari shkoi atje si i paraburgosur dhe nën ruajtjen e Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës i ndihmuan Dhomat e Specializuara të Kosovës gjatë vizitës. Vizita si i paraburgosur përfundoi dhe z. Gucati është kthyer në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, ka bërë të ditur ai.
Kurse, tha se më herët gjatë kësaj jave, në kuadër të aktivitetet të Programit për komunikim dhe ndërgjegjësim, përfaqësues të DHSK-së morën pjesë në një punëtori të organizuar nga EULEX-i lidhur me qasjen në dokumente publike. Përfaqësuesit e DHSK-së gjithashtu tha se organizuan një tryezë të rrumbullakët në Prishtinë me gazetarë, për t’u dhënë informacion mbi mënyrën e raportimit lidhur me gjykimet e DHSK-së.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.


