Mitrovicë – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të mërkurën, Prokuroria në fjalën përfundimtare tha se është vërtetuar se i akuzuari për falsifikim të rezultateve të votimit, Qerkin Syla, ka kryer veprën penale që i vihet në barrë. Ndërsa, mbrojtja e tij tha se ai nuk është penalisht përgjegjës, por është vënë në lajthim faktik.
Paraprakisht, prokurorja Fetije Bajrami ka bërë rikualifkimin e veprës penale nga neni 219, par.2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të vitit 2013, në veprën e njëjtë, por në nenin 216, par.2 të KPRK-së, të vitit 2019, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokurorja Bajrami, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim, ku thuhet se pas administrimit të provave, në mënyrë bindëse u vërtetua se i pandehuri ka kryer veprën që i vihet në barrë.
Aty thuhet se u provua se me rastin e numërimit dhe krahasimit të rezultateve, ka ardhur deri te mospërputhja, gjegjësisht deri te rezultati i ndryshëm te subjektet politike, pasi numri i votave të partive politike ndryshonte në vendin e ngjarjes nga numërimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ky i fundit, thuhet se me një e-mail ka sqaruar procedurat e numërimit të votave të kandidatëve dhe formularët e rezultateve.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Syla, avokati Beqir Halili në fjalën përfundimtare tha se në bazë të provave, u vërtetua se numërimin dhe regjistrimin e votave, e kanë bërë anëtarët e Këshillit të votimit, të cilët edhe i kanë nënshkruar fletët llogaritëse për votat e kandidatëve (FLLK).
Ai tha se secili anëtar i ka nënshkruar dhe ato ia kanë vendosur kryesuesit, i cili ka shkruar në Formularin e rezultateve të kandidatit, të cilin e kanë në shkruar kryesuesi Qerkin Syla dhe anëtarët Fidaim Asllani, Fitore Elezi, Veton Syla, Ibush Vilanci dhe Valdrin Hasani.
Avokati Halili tha se i akuzuari nuk i ka lexuar ose regjistruar votat e kandidatëve dhe me këtë rast është vënë në lajthim faktik dhe nuk është penalisht përgjegjës.
Më pas, gjykatësi Rrahman Beqiri, bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 27 tetor 2023.
Sipas aktakuzës së ngritur në gusht të 2022-ës, Qerkin Syla akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Këshillit në qendrën e votimit në shkollën fillore të fshatit Mihajliq, në Vushtrri, ka shtuar dhe fshirë votat, të cilat nuk i përgjigjen rezultateve të vërteta.
Aktakuza thotë se pas rinumërimit në Qendrën e numërimit të rezultateve në Prishtinë, është bërë krahasimi i të dhënave, ku është identifikuar ndryshimi i votave dhe pas numërimit të votave të kandidatëve brenda subjektit politik, ka larguar votat e disa kandidatëve, ndërsa ua ka shtuar disa kandidatëve të tjerë.
Aty thuhet se nga numri përfundimtar i fletëvotimeve të numëruara i cili ishte 120 vota, u deklaruan vetëm 77 vota, gjegjësisht 43 vota më pak, gjë që ka ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve.
Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216, par.2 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet prej tre deri në pesë vite burgim.


