Lajme

Prokuroria Speciale ndalon të dyshuarin për krim të organizuar

07/12/2022 12:41
nga:Astrit Gashi

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndaluar të hënën një të dyshuar për vepra të sanksionuara nga Kodi i Republikës Federale Gjermane, ka njoftuar Zyra për Media e Prokurorisë së Shtetit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i ndaluari dyshohet për kryerje në grup të veprës penale.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar një (1) person, për veprën penale nga neni 153, paragrafi 1 dhe 3, fjalia 2 e Kodit të Republikës Federale Gjermane, e kryer në grup”, ka njoftuar Zyra e Prokurorit të Shtetit.

Vepra për të cilën dyshohet i arrestuari, është e sanksionuar po ashtu edhe me ligjin e Republikës së Kosovës, përkatësisht veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, bëri të ditur Prokuroria.

I ndaluari, po ashtu dyshohet edhe për veprën penale “Mashtrimi”.