Prishtinë- Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njofton se ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj V.T., B.S dhe D.M., të dyshuar për sulmin terrorist të së dielës në Banjskë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) personave V.T. B.S dhe D.M. për vepra të ndryshme penale. Prokuroria Speciale njofton opinionin se kërkesa është bërë kundër tre (3) të pandehurve për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se seanca ndaj dy të dyshuarve do të mbahet sot (e martë), nga ora 10:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Për të dyshuarin V.T., Gjykata Themelore në Prishtinë ka mbajtur dje seancën dëgjimore dhe ka caktuar paraburgimin në kohëzgjatje prej 30 ditësh.


