Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zgjeruar hetimet edhe ndaj drejtorit të shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë. Këtë e ka konfirmuar për RTKlive prokurorja Jehona Grantolli.
Ajo tregoi se, pas sigurimit të një audio-incizimi ku shihet se edhe drejtori i shkollës ushtron dhunë ndaj nxënësit, hetimi është zgjeruar edhe ndaj tij.
Ndërkohë, Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala, për RTKlive ka thënë se ndaj drejtorit të shkollës po zhvillohen hetime për keqtrajtim të detyrës zyrtare.
“Ju njoftojmë se lidhur me dhunën ndaj nxënësit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zgjeruar hetimet edhe ndaj drejtorit të shkollës ‘Pavarësia’. Hetimet ndaj tij zhvillohen në drejtim të veprës penale ‘keqtrajtim i detyrës zyrtare’”, ka thënë Shala.
Drejtori i shkollës “Pavarësia” në Prishtinë, Halil Brahaj ka thënë është kërcënuar me vrasje dhe sharë nga nxënësi të cilin sipas videos së publikuar nga “Betimi për Drejtësi” e ka goditur në fytyrë. Sipas drejtorit, ngjarja e ditës kritike është kulm i presionit, sharjeve, fyerjeve e kanosjeve të vazhdueshme.
Në pamjet që publikoi “Betimi për Drejtësi”, shihet drejtori i shkollës duke e goditur në fytyrë nxënësin, rast për të cilin ditë më parë u arrestua një mësimdhënës për dhunë ndaj atij fëmiu. Tani, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj drejtorit Brahaj.
Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi“, Brahaj tha se sot është intervistuar nga Policia.
“Fillimisht ju informoj se nuk është zhvilluar asnjë intervistim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Megjithatë, ju njoftoj se sot jam marrë në pyetje në polici, ku kam dhënë në detaje të gjitha detajet dhe informacionet që më janë kërkuar”, tha Brahaj.
Sipas drejtorit, ajo që ka ndodhur në ditën kritike është kulm i kanosjeve e fyerjeve që thotë se ia ka bërë nxënësi 15-vjeçar.
“Me qëllimin që të mos ndërhyjë në procedurën hetimore tashmë në zhvillim e sipër, shkurtimisht ju njoftoj juve dhe opinionin publik se ngjarja e ditës kritike, është kulmim i kanosjeve, sharjeve dhe fyerjeve të vazhdueshme të pranuara nga nxënësi 15 vjeçar (NN), në drejtim timin”, thotë ai.
Sipas tij, kanosjen me vrasje e sharjet që ia bëri ai nxënës, i ka raportuar më 5 shkurt në Polici.
“Siç kam deklaruar edhe sot në polici, kanosja e nxënësit ndaj meje është raportuar para ditës kritike, përkatësisht më datë 5 shkurt 2026, ku i njëjti përveç se më kishte fyer, sharë me nënë, motër, grua dhe mbi të gjitha edhe me vajzën time 2 vjeç e gjysmë më kishte kanosur edhe me vrasje. Atë ditë kam lajmëruar e raportuar policinë”, tha Brahaj.
Drejtori thotë se ajo që ndodhi ditën kritike ishte kulmi i presionit, provokimeve e kërcënimeve të vazhdueshme. Tha se reagimi i tij ka qenë momental.
“Ngjarja e ditës kritike më 9 shkurt nuk ka qenë një incident i izoluar, por kulm i një presioni të vazhdueshëm, provokimeve dhe kërcënimeve të përsëritura. Në ditën kritike, pas fyerjeve dhe një tjetër kanosjeje direkte për jetë, reagimi im ka qenë momental, në gjendje tronditjeje dhe nën një ngarkesë emocionale të papërballueshme, kur më kap në dorën e majtë dhe thotë “ka me ta q…qikën e vogël e të bukur që e kishe dhe ka me t’vra”.
Atëherë, kam reaguar ashtu siç edhe shihet në videon e shpërndarë… Vajza ime (NN) ka 2 vite e gjysmë, që (NN) shfaqte dëshirën të bënte seks”, thuhet në përgjigjen e drejtorit.
Drejtori Brahaj theksoi se do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe pret që rasti të sqarohet.
“Jam mësimdhënës me vite të tëra përvojë dhe e kam ndërtuar jetën time mbi edukimin dhe disiplinën. I qëndroj plotësisht në dispozicion drejtësisë dhe besoj se e vërteta do të sqarohet. Opinioni publik duhet ta dijë se kjo situatë nuk ka nisur atë ditë, mirëpo ka qenë rezultat i një sjelljeje problematike dhe kanosjesh të vazhdueshme që janë raportuar me kohë në polici. Prandaj, në situatën ku rasti është në trajtim e sipër nga organet e rendit, rezervohem nga çdo deklarim tjetër për çështjen në fjalë. Për më shumë informacione, ju lus të kontaktoni organet përkatëse, nga të cilët do të informoheni për rastin”, tha ai.


