Disa punëtorë kanë humbur jetën në vendet e punës vitet e fundit në rajonin e Prizrenit. Prokuroria konfirmoi për Gazetën e Prizrenit se ka ngritur katër aktakuza ndaj 14 personave, derisa një rast është në procedim.
Një punonjës sigurimi, Durmish Murati është gjetur dje pa shenja jete, në vendin e tij të punës në rrugën “Transiti i Ri” në Prizren. Raste të ngjashme janë raportuar disa herë gjatë dy viteve të fundit. Referuar njoftimeve nga Policia viktima ishin kryesisht të rinj, dhe djem të vetëm të familjes. Numri më i madh i viktimave është në ndërtimtari.
Prokuroria Themelore në Prizren, konfirmoi se në vitin 2024 janë ngritur dy aktakuza, në dy raste të ndara, të cilat kanë ndodhur gjatë vitit 2023.
Aktakuza e parë ka të bëjë me rastin e datës 25.08.2023, ku një punëtor ka humbur jetën. ndërsa akuzohet një person juridik dhe një fizik, raporton Gazeta e Prizrenit.
Me datën 29.09.2023 një punëtor tjetër pati humbur jetën në vendin e punës. Në aktakuzën e ngritur me 12.02.2024, akuzohen nëntë persona fizik dhe dy juridik.
Në vitin 2024, kanë ndodhur dy raste të ndara, ku dy punëtorë humbën jetën. Për rastin e datës 13.09.2024, akuzohet një person, ndërsa për rastin e dytë të datës 24.11.2024, Prokuroria thotë se procedura është në proces.
Në të gjitha rastet, aktakuzat janë ngritur për shkak të dyshimit të bazuar, të kryerjes së veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë ne vendin e punës”.