Lajme

Prokuroria merr aktvendim për fillim të hetimeve ndaj profesorit Xhevat Krasniqi

06/18/2024 16:18
nga:G B

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj profesorit Xhevat Krasniqi.

Këtë e ka konfirmuar për Express zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal ndaj çështjes në fjalë. Prokurori i Shtetit ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve ndaj Xh. K. Kjo çështje penale është duke u trajtuar në pajtim me dispozitat ligjore të KPPRK-së”, tha Ulaj.

Xhevat Krasniqi është pezulluar nga puna më 23 prill pasi ishte denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual.

“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Prof. Xh.K., me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit”, thuhej në komunikatën e Rekoratit të UP’së.