Lajme

Prokuroria me aktakuzë ndaj të akuzuarve për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë në qershor të vitit 2023

12/19/2024 16:28
nga:G B

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit Gj.Gj., dhe Z.A. të përfshirë për një vrasje të dyfishtë në Madanaj të Gjakovës, më 25 qershor të vitit 2023.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se ata akuzohen për veprat penale  “Vrasja e rëndë në bashkëkryerje”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

“Sipas aktakuzës ndër tjera cekët se të pandehurit Gj.Gj., dhe Z.A., me dt.25.06.2023, në f.sh.”M…” – K.Gjakovë, duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje privojnë nga jeta tani të ndjerët B.I., dhe H.I., ku në ditën kritike dy të pandehurit takohen me viktimat në rr.”Q…” në f.sh.”M…”, dhe në fjalosje e sipër të pandehurit kanë shtënë me armë zjarri disa herë në drejtim të viktimave, ku si pasojë ndërrojnë jetë viktimat B.I., dhe H.I”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Klan Kosova ka raportuar për rastin në fjalë se viktimat që u vranë janë vëllezërit Blerim e Haxhi Islamaj.

Dyshohet se viktimat dhe të akuzuarit kishin pasë një mosmarrëveshje mes vete dhe se deri te qërimi tragjik i hesapeve dyshohet se çoi një mosmarrëveshje e moçme për një truall, siç e konfirmoi zëdhënësi policor për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi.