Lajme

Prokuroria konfirmon arrestimin e 26 zyrtarëve të Policisë në Vërmicë

04/08/2022 14:01
nga:Astrit Gashi

Në aksionin e sotëm të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës janë arrestuar 26 zyrtarë policorë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Blerim Isufaj, prokuror i rastit.

Aksioni është zhvilluar edhe nga autoritetet e Shqipërisë, duke arrestuar dhjetëra zyrtarë.

IPK-ja ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit të së premtes ka filluar një operacion të gjerë, të koduar me emrin “Pika 2”, që i ka paraprirë një hetim rreth njëvjeçar.

Aksioni është kryer pas dyshimeve për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe nën udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit. Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u [Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë] dhe zyrtarët e AMP-së, Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri)”, thuhet në njoftimin e IPK-së.