Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, që t’ia vazhdojë masën e paraburgimit Salih Mustafës, i cili po gjykohet për krime lufte.
Sipas prokurorisë, vazhdimi i paraburgimit ndaj tij, mbetet i nevojshëm dhe si arsye ka listuar rrezikun e arratisjes, rrezikun e ndërhyrjes te dëshmitarët e viktimat, si dhe rrezikun që i akuzuari mund të kryej krime.
Ata kanë pretenduar se vazhdimi i paraburgimit është e vetmja mënyrë për të menaxhuar këto rreziqe.
Ndryshe, aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.


