Lajme

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin për sulmin ndaj policëve në veri

07/17/2022 19:15
nga:G B

Prokuroria Themelore në Mitrovicës ka kërkuar paraburgim për të dyshuarin A.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë“, “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”, si dhe “Kontrabandimi i mallrave”, raporton Gazeta Blic.

Përmes një komunikate për media, dyshohet se A.D., me datë 16 korrik 2022 në fshatin Llazhin të komunës së Leposaviqit,  me vullnet dhe vetëdije ka ndërmarrë veprime me të cilat ka rrezikuar jetën e katër zyrtarëve policorë të njësisë NJKNSH të Drejtorisë së Policisë Kufitare.

I dyshuari i dytë në këtë rast U.R., dyshohet se e ka lehtësuar rrugëtimin dhe ka luajtur rolin e personit i cili e ka njoftuar të dyshuarin A.D., për çdo pengesë të mundshme në rrugë, me çka ka rrezikuar dhe penguar zyrtarët policorë, e që është në hetim e sipër.

Komunikata e plotë:

Mitrovicë, 17 korrik 2022 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë  – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin A.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë“, “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”, si dhe “Kontrabandimi i mallrave”.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari A.D., me datë 16 korrik 2022 në fshatin Llazhin të komunës së Leposaviqit,  me vullnet dhe vetëdije ka ndërmarrë veprime me të cilat ka rrezikuar jetën e katër zyrtarëve policorë të njësisë NJKNSH të Drejtorisë së Policisë Kufitare.

Përderisa policët gjatë një pikë kontrolli kanë tentuar ta ndalojnë kamionin të cilin e ngiste i dyshuari A.D., i njëjti nuk i është përfillur urdhrave për të ndaluar kamionin, i cili gjatë ikjes me qëllim dy herë e godet veturën e policisë, ku edhe zyrtarët policorë si pasojë e goditjeve marrin lëndime trupore. Policët pasi arrijnë ta ndalin kamionin në fjalë i dyshuari A.D., ikë këmbë drejt malit, mirëpo policët pas një ndjekje arrijnë ta arrestojnë të njëjtin.

I dyshuari i dytë në këtë rast U.R., dyshohet se e ka lehtësuar rrugëtimin dhe ka luajtur rolin e personit i cili e ka njoftuar të dyshuarin A.D., për çdo pengesë të mundshme në rrugë, me çka ka rrezikuar dhe penguar zyrtarët policorë, e që është në hetim e sipër.

Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarin A.D., pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.