Lajme

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit se e rrahu gruan dy herë brenda një dite

08/17/2021 09:00
nga:M K

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit N.N., me arsyetimin se dy herë gjatë një dite ka rrahur bashkëshorten e tij, të dëmtuarën S.S.

Kjo kërkesë e prokurorisë është shqyrtuar të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë raporton, “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Halim Borovci, duke e arsyetuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit, deklaroi se është përmbushur parakushti themelor që ka të bëjë me ekzistimin e dyshimit të bazuar, se nga i dyshuari është kryer vepra penale.

Ai ka thënë se prokuroria ka shqyrtuar edhe masa tjera alternative, në pajtim me nenin 173 të Kodit Penal, dhe ka konsideruar se shqiptimi i ndonjë mase tjetër do të ishte e pamjaftueshme për ndriçimin e plotë të gjendjes faktike.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Shefqet Rexha, ka deklaruar se e kundërshtojnë në tërësi këtë propozim të prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kërkoj nga gjykata që klientit tim t’i caktohet ndonjë masë më e butë alternative”, ka thënë avokati Rexha.

Edhe i dyshuari N.N., e ka mbështetur fjalën e mbrojtësit të tij, duke shtuar se është penduar për veprimin e bërë.

“Jam pendu sa jam vet, po ja u jap fjalën dhe besën se më nuk ka me ndodhë”, deklaroi i dyshuari.

Gjykatësi i procedurës paraprake Sadri Krasniqi, njoftoi se vendimi për këtë rast do të merret brenda afatit ligjor, i cili më pas do t’u dorëzohet palëve.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit N.N., duke e ngarkuar me veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se më 14 gusht të këtij, i dyshuari ka ushtruar dhunë familjare duke e lënduar lehtë të dëmtuarën, bashkëshorten e tij, S.S.

Prokuroria pretendon se, pas një mosmarrëveshje i dyshuari kishte blerë burekë vetëm për vete dhe djalin e tyre, ndërsa të dëmtuarën e lë të uritur, i dyshuari e shanë, i bërtet dhe e godet të dëmtuarën me grushte në shpinë, duke vazhduar fjalosjen gjatë gjithë ditës, kryesisht rreth parave.

Tutje, në kërkesë të prokurorisë thuhet se, në mbrëmjen e së njëjtës ditë, i dyshuari i kërkon bashkëshortes së tij t’u kërkojë para familjarëve të saj dhe kur e njëjta nuk pranon, ai revoltohet dhe e godet me grusht në bark të dëmtuarën, e më pas e kapë dhe e shtrëngon rreth barkut duke i shkaktuar asaj dhimbje të madhe.

Vepra penale “lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 të Kodit Penal, është e dënueshme me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vite.