Prokuroria Themelore në Gjilan, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurve V.H., E.N., R.I., A.S. dhe B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë vrarë tani të ndjerin E.R në Gjilan.
Lajmi është bërë i ditur nga një komunikatë për medie, nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 8 nëntor 2021, në lagjen ‘’Arbëria’’, në Gjilan, afër shtëpisë së tani të ndjerit E.R., pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi në të holla në mes të pandehurve, të pandehurit me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin E.R.
Sipas prokurorisë, të pajisur me dy lloje të armëve të zjarrit, kanë gjuajtur shtatë herë në drejtim të njërit-tjetrit, ku nga shkëmbimi me armë zjarri ka mbetur i vdekur E.R., ndërsa plagë të rënda trupore ka pësuar edhe i pandehuri V.H., i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK, në Prishtinë.
Pesë të pandehurit, me urdhër të prokurorit gjenden në masën e ndalimit prej 48 orësh.
V.H., E.N., R.I., A.S. dhe B.K, dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173, të Kodit Penal, ky kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. /BetimipërDrejtësi
Gjendet vetura e vjedhur e djalit të kryetarit të Fushë-Kosovës, një person dërgohet në mbajtje


