Prokuroria Themelore në Prishtinë, po kërkon nga Gjykata e Apelit dënim më të lartë ndaj të dënuarit me 21 vite burgim Xhelal Ramadani, për vrasje e armëmbajtje pa leje, ndërsa mbrojtja po kërkon dënim më të ulët.
Në këtë rast, Ramadani akuzohej për vrasjen e fqinjit Sh.L, për shkak të një mosmarrëveshje rreth fëmijëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këto ankesa u shqyrtuan në seancën e së mërkurës pranë kolegjit të Apelit.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 gusht 2022 ka shpallur aktgjykim me të cilin Ramadanin e ka dënuar me dënim unik prej 21 vite burgim.
Kundër këtij aktgjykimi, sipas gjykatëses referuese Tonka Berisha, ankesë ka parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, pala e dëmtuar Qëndrim Limani dhe mbrojtësja e të akuzuarit Ramadani, avokatja Marigona Lajqi.
Sipas gjykatëses Berisha, Prokuroria përmes ankesës së parashtruar ka propozuar që aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë, ashtu që ndaj të akuzuarit Ramadani të shqiptohet dënim më i lartë për arsye se dënimi i shqiptuar nuk është adekuat me peshën e veprës penale dhe përgjegjësinë penale të të akuzuarit.
Dënim më të lartë për të akuzuarin Ramadani kërkoi edhe i dëmtuari Qëndrim Limani.
“Kërkoj një dënim më të lartë se për familjen tonë është dënim shume i ultë”, ka thënë i dëmtuari Limani.
Tutje, sipas gjykatëses Berisha, avokatja Lajqi ka parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vendimit mbi sanksionin penal.
“E njëjta ka propozuar që ankesa e saj të aprovohet si e bazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet sa i përket vendimit mbi dënimin, ose si alternativë i njëjti të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje”, ka thënë gjykatësja Berisha.
Kurse, prokurori i Apelit sipas saj, ka propozuar që të aprovohet si e bazuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe kërkesa e të dëmtuarit Qëndrim Limani, kurse aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet, ashtu që të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i lartë me burgim.
Po ashtu, Prokurori i Apelit ka propozuar që ankesa e avokates Lajqi të refuzohet.
Avokatja Lajqi, në këtë seancë deklaroi se mbetet në tërësi pranë ankesës së parashtruar me shkrim, e cila tha se konsideron se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
“Sidoqoftë, në anën tjetër gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje”, por shqetësuese për neve mbetet lartësia e dënimit që i është shqiptuar të akuzuarit në fjalë”, tha avokatja Lajqi.
Sipas saj, ky dënim përveç se nuk është aspak proporcional me veprimet të cilat i ka kryer i pandehuri dhe me veprën për të cilën është dënuar, gjithashtu është në kundërshtim edhe me politikat ndëshkimore në praktikën gjyqësore të krijuar deri më tani jo vetëm në gjykatën në Prishtinë por, edhe në të gjitha gjykata, gjë që sipas saj, paraqet pasiguri juridike tek qytetarët tjerë.
Tutje, e njëjta ka thënë se gjykata e shkallës së parë ndonëse ka shqiptuar dënim brenda suazave ligjore, e njëjta i ka nënvlerësuar rrethanat lehtësuese që në rastin konkret kanë qenë mëse evidente dhe ka mbivlerësuar ato rënduese.
Ajo, iu lut Gjykatës së Apelit që t’i marrë parasysh këto rrethana dhe ndaj të mbrojturit të saj të shqiptohet një dënim më i butë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 tetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Xhelal Ramadani, thuhet se në Gadime të Ulët, Komuna e Lipjanit, më 16 korrik 2021, për shkak të mosmarrëveshjes që kishte pasur një javë më parë rreth fëmijëve dhe përleshjes fizike në ditën kritike, me dashje që ta privojë nga jeta dhe për shkak të hakmarrjes, kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe e kishte marrë armën e tipit “Ecol Special 99” dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të tani të ndjerin Sh.L, duke e goditur në kokë, ku si pasojë e plagëve të marra, i njëjti kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.


