Prokuroria ka kërkuar që ish-zyrtari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Xhemajl Syla, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale “Keqpërdorim i informatës zyrtare ”, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit ka kërkuar lirimin e tij.
Në këtë rast, Syla po akuzohet se si udhëheqës i Divizionit për Mbështetje të Bizneseve dhe Zhvillimeve Regjionale në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka keqpërdorur informacione zyrtare me qëllim të përfitimit të përparësisë për kompaninë “Management Development Association”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së martës, prokurorja Drita Hajdari deklaroi se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim dhe ia dorëzoi gjykatës, ndërsa të njëjtën e elaboroi me fjalë të shkurta.
Ndër të tjera, prokurorja Hajdari tha se prokuroria konsideron që gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor në tërësi është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën po ngarkohet.
Sipas saj, prokuroria konsideron që provat e paraqitura janë prova inkriminuese, të pranueshme dhe të bazuara në ligj dhe se qëllimi i të akuzuarit jo vetëm që vërtetohet nga e-mailet, por edhe nga ajo se çka kanë thënë dëshmitarët.
“Kjo mbrojtje e të akuzuarit fyen inteligjencën elementare të njeriut”, tha ajo.
Prokurorja tha se i vetmi person që ka pasur interes që t’i fshijë e-mailet ka qenë vetë i akuzuari Syla, për atë arsye këto e-maile nuk janë gjetur në kompjuterin e tij.
E njëjta deklaroi se fusha e prokurimit, është një fushë që krijon mundësi për korrupsion dhe se kjo është vërtetuar edhe përmes veprimeve kundërligjore të të akuzuarit, me të cilat janë përmbushur të gjitha elementet e veprës penale.
Hajdari propozoi që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit, ku me anë të këtij dënimi të arrihet edhe sundimi i drejtë i ligjit në fushën e prokurimit.
Pas fjalës përfundimtare të prokurores, u procedua me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Mahmut Halimi, i cili deklaroi se të njëjtën e ka përgatitur me shkrim dhe ia dorëzoi gjykatës, por e elaboroi edhe me fjalë të shkurta.
Ai shtoi se sipas tij ndërhyrja në përmbajtjen e e-maileve ka qenë interes i personave të involvuar në këto tendere dhe ende nuk e ka të qartë arsyen se përse as prokuroria u përpoq të vërtetojë dhe identifikojë personin që i dërgoi këto e-maile.
I njëjti shtoi se prova të tilla që nuk u dihet prejardhja dhe që janë të paverifikuara nuk mund të jenë prova fajësuese, për të shpallur dikë fajtor.
Halimi i propozoi gjykatës që i akuzuari të lirohet nga akuza në mungesë të provave, sepse sipas tij me asnjë provë nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale, përkundrazi thotë se ai vetëm ka luftuar që të zbatohet ligji.
Me fjalën përfundimtare të tij u pajtua edhe i akuzuari Syla.
Në rrethana të tilla, shqyrtimi i sotëm përfundoi dhe kryetarja e trupi gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi deklaroi se shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje penale do bëhet më 21 korrik 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Xhemajl Syla akuzohet se më 5 dhjetor 2018, si person zyrtar, udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA) e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi më 30 prill 2013 ishte publikuar njoftimi për kontratë për tenderin në fjalë, i akuzuari Syla, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të vitit 2013, i ka dërguar Luan Dalipit, menaxher në kompaninë MDA, dokumente të brendshme të MTI-së dhe informacione lidhur me kushtet dhe kriteret për tender.
Në bazë të këtyre informatave, vazhdon akuza, Dalipi i kishte ndryshuar pastaj kriteret e kontratës për përzgjedhjen e ekspertëve në këtë projekt, duke e përshtatur në atë mënyrë ofertën e kompanisë se tyre për tenderin në fjalë.
Pas kësaj, sipas aktakuzës, Xhemajl Syla, si anëtar i komisionit për vlerësim të ofertave në këtë tender, më 24 shtator 2013 kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, e cila e obligonte që ta ruajë rreptësisht fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në vlerësimin e ofertave në procesin e prokurimit.
Mirëpo, përkundër kësaj në aktakuzë thuhet se Syla në kundërshtim me deklaratën e nënshkruar, ka dërguar tek Luan Dalipi, informacione në lidhje me vlerësimin dhe poentimin e ofertave në këtë proces të prokurimit, duke e njoftuar për përparësitë e kompanisë MDA krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.
Ai po akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 423, par. 2, lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet.


