Prokuroria Themelore e Ferizajt për disa javë ka zhvilluar hetime në drejtim të veprës penale ‘prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se sot më 19 dhjetor në kuadër të planit taktik të koduar “QAFA 2”, është realizuar një kontroll në fshatin Sllakovc i Epërm të Gjilanit, ku gjatë aksionit policor në vendin e ngjarjes janë arrestuar dy persona të dyshuar shtetas sllovakë me iniciale (N.H. dhe L.A.), të cilët ishin në cilësi të personave ekspertë, duke përpunuar substancat kimike narkotike dhe personi i tretë pronari i shtëpisë me iniciale (S. I.) shtetas kosovar.
“Të dyshuarit brenda shtëpisë në dy lokacione (dhoma) kanë improvizuar një laborator klandestin me pajisje për përpunim të substancave kimike, duke vendosur aparaturë dhe preparate të nevojshme kimike dhe ishin në proces të përpunimit të prodhimit të drogës sintetike, e dyshuar e llojit Methaphetamine”.
“Në vendngjarje vërehet substancë e lëngët prekusor (acid), sasia mbetet të konfirmohet, një pjesë e përpunuar në formë të ngurtë dhe një pjesë rreth 10 litra në proces ende e lëngët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet relevante policore: Forenzika qendrore dhe e (DrP) Ferizajt, ekspertë të laboratorit të Forenzikës dhe Njësia e Trajtimit të Mjeteve Eksplozive”, thuhet në njoftim.
Prokurori i rastit dhe kryeprokurori nga Ferizaj janë paraqitur po ashtu në vendin e ngjarjes. Pas këtyre veprime janë kryer bastisje edhe në 4 lokacione, përfshirë: një dhomë hoteli, një banesë dhe një shtëpi banimi në fshatin Prelez në Ferizaj, por nuk është gjetur diçka e dyshuar.
“Të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë. Droga, pajisjet e laboratorit, mjetet ndihmëse dhe një veturë e llojit Shkoda janë sekuestruar si prova materiale, kurse rasti vazhdon të hetohet dhe të gjitha veprimet tjera do të ndërmerren në bashkërendim me organet e drejtësisë”, thueht në njoftim.