Lajme

Prokuroria ende pa rezultate për helmimet në Deçanit, kërkohet që furnizimi i banorëve me ujë të bëhet përmes cisternave

07/14/2021 15:33
nga:N M

Prokuroria dhe Policia ende nuk kanë arritur të japin përgjigje për hetimet që janë duke i bërë lidhur me helmimin e mbi 1500 banorëve të Deçanit. Në këtë situatë, institucionet kanë rekomanduar të mos përdoret uji i ujësjellësit për pije por të bëhen furnizime alternative.

Në Prokurorinë e Pejës kanë thënë se po i presin rezultatet e analizave për të vazhduar me zbardhjen e rastit.

‘‘Prokurori i Shtetit ka autorizuar Institutin e Shëndetit Publik për marrjen e mostrave të ujit për analizat mikro-biologjike dhe varësisht nga rezultatet e dala nga laboratori do ndërmerren veprimet e mëtutjeshme hetimore’’, ka bërë të ditur Prokuroria e Pejës, për “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkohë, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), ka kërkuar nga kompania ‘‘Hidrodrini’’ që qytetarët e Deçanit t’i furnizojë më ujë nga cisternat.

Ky qëndrim i ARRU është marrë pasi dyshohet se mbi 1500 deçanas janë helmuar ndërsa shkakun ende nuk e kanë zbuluar pavarësisht se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka kërkuar që uji i ujësjellësit të mos përdoret për pije në Deçan.

‘‘Kemi kërkuar që deri në lejimin e përdorimit të ujit për pije nga IKSHPK, kompania të ofrojë ujë të pijes për qytetarët përmes cisternave’’, ka bërë të ditur drejtoresha Hajrije Morina.\

Ajo ka thënë se po i presin rezultatet e testeve kimike dhe bakteiologjike të ujit që është përdorur nga banorët.

‘‘Masat të cilat ARRU ka në kompetencë të i ndërmarrë m ‘varen nga rezultatet finale të testeve kimike dhe bakteriologjike te cilat i kemi kërkuar nga IKSHPK’’, ka shtuar ajo.

Që nga dita e shtunë e deri më sot, banorët e fshatrave Rastavicë, Irzniq, Prejlep, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri po përballën me simptoma të helmimit si temperature, lodhje dhimbje barku, diarre.

Për këtë Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Selmon Berisha, ka thënë se po e trajtojnë si helmim edhe pse nuk e dinë ende se më çfarë kanë të bëjnë.

‘‘ Kjo gjendje është edhe më e rrezikshme pasi nuk dihen arsyet se çfarë po e shkakton’’, ka thënë Berisha duke treguar se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë është duke bërë hulumtime nëpër fshatrat e prekur’’, ka thënë ai.

Naser Ramadani drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kishte thënë se rezultatet që kanë dal fillimisht në lidhje me helmimin në Deçan nuk japin pistë se helmimi ka ardhur nga uji por që do vazhdojnë të bëjnë analiza për të gjetur shkakun.

“Rezultatet laboratorike që kanë dalë sot flasin për momentin se nuk kemi asnjë pistë të helmimit hidrik. Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka infeksione hidrike. Por, kjo do të dal pas analizave permanente si të ujit ashtu edhe të analizave të pacientëve. Do të informohemi me kohë”, kishte thënë ai.

Ndryshe, Kompania Hidrodrini, përveç komunës së Deçanit furnizon me ujë të pijes edhe katër komuna tjera si atë të Pejës, Istogut, Klinës dhe Junikut, për këtë të fundit menagjeri i njësisë i kësaj kompanie Tafë Gaxheri, në Junik, ka thënë se nuk kanë pas asnjëherë probleme.

‘‘Probleme nuk kemi pas, nuk është ankuar askush, jemi shumë të sigurt që ujin e kemi të cilësisë shumë të lartë’’, ka thënë Gaxheri.

Ai tregoi se Juniku është duke u furnizuar prej ujësjellësit si zakonisht dhe se nuk kanë marrë ndonjë mase pasi ato i kanë gjithmonë dhe se çdo ditë e kontrollojnë sasinë e klorit.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka marrë vendim që të shpallet gjendje emergjente në tërë territorin e kësaj komune në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Parandalimin dhe Sëmundjeve Ngjitëse të Statutit të komunës së Deçanit.

IKSHPK në Pejë thotë se uji në Deçan nuk është i helmuar, edhe analiza bakterologjike ka rezultuar në rregull