Lajme

Prokuroria e Prizrenit me ligjërata në shkolla kundër dhunës në familja dhe asaj në baza gjinore

12/04/2024 16:25
nga:G B

Prokuroria Themelore në Prizren ka mbajtur ligjërata në shkolla kundër dhunës në familja dhe asaj në baza gjinore.

Në komunikatën e prokurorisë thuhet se nxënësve u është ligjëruar rreth konceptit të marrëdhënieve familjare, formave të dhunës në familje, aspektet penale të dhunës në familje, viktimat e ndjeshme, si dhe rolin e institucioneve shtetërore në luftimin e këtyre veprave penale.

Aty thuhet  gjithashtu se ata u njoftuan edhe për ndihmën juridike që mund t’u ofrohet nga Qendra për Ndihmë Juridike, për rolin e mbrojtësve të viktimave.

“Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht prokuroret/koordinatore për rastet e dhunës në familje, znj. Mehreme Hoxha dhe znj. Elfete Purova, kanë realizuar ligjërata vetëdijësuese në shkollën e mesme Sh.M.L.M “Luciano Motroni” dhe në shkollën Sh.M.U. “Hysen Rexhepi” për klasat e nënta, në Prizren. Këto ligjërata janë mbajtur në kuadër të fushatës vetëdijësuese “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”.

“Këto ligjërata kishin për qëllim forcimin e kapaciteteve të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme për të identifikuar dhe raportuar dhunën në familje si dhe dhunën në baza gjinore.  Më tutje, nxënësit u njoftuan edhe për sanksionet ligjore që parashihen sipas ligjit për personat që kryejnë vepra penale të dhunës në familje, si dhe veprave tjera penale në kuadër të dhunës në familje.  Ligjëratat ishin interaktive dhe nxënësit shprehën interesim të madh gjatë ligjërimit, duke parashtruar pyetje të ndryshme për diskutim”, thuhet tutje në komunikatë.