Me ftesë dhe iniciativë të Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është mbajtur takim me Drejtorët e Drejtorive te Arsimit në regjionin e Pejës dhe përfaqësues të tjerë, ku u diskutua për një koordinim ndërinstitucional në mes të prokurorisë dhe aktorëve përgjegjës për mbarëvajtjen dhe sigurinë e procesit arsimor, për një ambient të qetë shkollor.
Në kumtesën për media bëhet e ditur se temë e diskutimit ishte caktimi i shkollave për mbajtjen e ligjëratave në tri fusha: dhuna në familje, pasojat e përdorimit të substancave narkotike dhe mbrojtja e integritetit seksual.
“Gjatë këtij takimi u dhanë opinione të ndryshme, ku nga pjesëmarrësit u vlerësua si iniciativë e qëlluar, edhe pse më parë ka qenë, por kjo është zbatuar vetëm në Komunën e Pejës dhe jo edhe në komunat tjera të regjionit, aty ku shtrihet edhe kompetenca lëndore dhe territoriale e Prokurorisë Themelore në Pejë, gjë që u mirëprit nga përfaqësuesit e Komunave tjera”, thuhet në njoftim.
Si rezultat i takimit janë nxjerrë disa konkluzione që në takimet e radhës të jenë prezentë edhe :
- Kryetari i Këshillit të Prindërve,
- Caktimi i shkollave për mbajtjen e ligjëratave,
- Mbikëqyrja e kamerave të vendosura në shkolla nga personat kompetentë dhe të autorizuar për mirëmbajtjen dhe funksionalizimin e tyre,
- Mbikëqyrja e kopshteve shtetërore dhe atyre private nga Ministria e Arsimit dhe Inspektorët përkatës, si dhe
- Ligjëratë edhe për posedimin e mjeteve të ftohta të cilat hyjnë në kuadër të armëve.


