Prokuroria Themelore në Ferizaj, i ka reaguar sërish ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili deklaroi gjatë ditës se policia e ka arrestuar Dardan Krivaqën 135 herë, por që sipas tij, Prokuroria dhe gjykatat u treguan të papërgjegjshme, duke e liruar, raporton Gazeta Blic.
Këto deklarime të Sveçlës, Prokuroria e Ferizajt i quan të paqëndrueshme, shfaqin mosnjohuri elementare profesionale, janë krejtësisht tendencioze dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit për përfitime politike.
Reagimi i plotë:
Prokuroria Themelore në Ferizaj, reagon ndaj deklaratave të Ministrit të Punëve të Brendshme, të publikuara në media, me titull “Sveçla: Prokuroria dhe gjykatat u treguan të papërgjegjshme, policia e arrestoi 135 herë”.
Këto deklarata janë të paqëndrueshme, shfaqin mosnjohuri elementare profesionale, janë krejtësisht tendencioze dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit për përfitime politike.
Për dijeninë e Ministrit të Punëve të Brendshme, Prokuroria është organ kushtetues ndjekës dhe kompetencat e ndara duhet t’i dallojë dhe aq më shumë edhe t’i kuptojë.
Po ashtu ia bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Ferizaj çdo herë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj të pandehurit D.K dhe se në të gjitha rastet ndaj tij ka ngritur aktakuza dhe të njëjtat i ka proceduar në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Andaj, ju bëjmë thirrje bartësve të institucioneve ekzekutive që të përmbahen nga çfarëdolloj deklarimi i pamatur, i pakonfirmuar dhe tendencioz, sepse kjo qasje nuk iu shërben as atyre dhe as të vërtetës faktike.


