Lajme

Prokuroria dhe Policia: Personi nga Podujeva që u gjet i vdekur tek shtëpia e tij është 58-vjeçar, dyshohet të jetë vrarë

1 vitë më parë
nga:G C

Të dielën një burrë është gjetur i vdekur në afërsi të shtëpisë së tij në Dumnicë të Podujevës.

Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh ka konfirmuar vdekjen e tij dhe ka cilësuar si vrasje duke dhënë edhe detaje të tjera lidhur me këtë rast.

Policia thotë se po e heton rastin dhe aktualisht nuk ka persona të arrestuar.

‘’Fsh. Dumnicë e Epërme, Podujevë 26.03.2023 – 18:08. Një mashkull kosovar është gjetur i vdekur në afërsi të shtëpisë së tij. Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes përveç njësive relevante policore ka dalë edhe prokurori, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në obduksion. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti në hetime.’’ thuhet në raportin e policisë.

Ndërsa zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj ka thënë se deri më tani nuk ka persona të arrestuar, teksa prokuroria po kryen hetime intensive për identifikimin e personave të përshirë në këtë rast.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është kualifikuar “Vrasje”, sipas KPRK-së. Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë intensive, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij akti dhe identifikimit të personave të përfshirë në këtë rast”, tha Ulaj.

Ajo shtoi se mosha e viktimës është 58-vjeç dhe me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

“Mosha e viktimës është 58 vjeç, derisa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për t’iu nënshtruar obduksionit”, tha Ulaj.