Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ilir Morina, ka bërë të ditur se gjatë dy viteve të fundit, janë ngritur 30 aktakuza për krime lufte, një rezultat që ai e cilësoi si domethënës krahasuar me periudhat e mëparshme.
“Gjatë vitit 2023 dhe 2024 ne kemi kryer 30 lëndë të rimeve të luftës, që në krahasim me vitet e kaluara është një punë tejet domethënëse. Gjatë vitit 2000 -2009 UNIMK-u ka ngritur vetëm 10 rast të krimeve të luftës, kurse EULEX-i gjatë vitit 2009 – 2010 ka 22 raste. Dhe ne vetëm për dy vitet e fundit kemi rreth 30 aktakuza për krime lufte të dhënat statistikore jemi duke i përpunuar dhe në fund të vitit 2024 do të dalin të dhënat”, ka deklaruar Morina në RTVD.
Sipas tij, rritja e kapaciteteve brenda departamentit ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e rezultateve.
Deri në qershor të këtij viti, departamenti kishte vetëm tre prokurorë që merreshin me rastet e krimeve të luftës, ndërsa tani janë pesë.
“Departamenti për Krime të Luftës aktualisht ka pesë prokurorë, të cilët merren vetëm me rastet e krimeve të luftës, kemi qenë tre prokurorë deri në qershor por jemi forcuar duke u bërë pesë. Kështu që me rritjet e këtyre kapaciteteve edhe rezultatet e punës veç janë të dukshme”, ka deklaruar Morina.