Sistemi gjyqësor vazhdon të ndikohet nga politika, sidomos kur pjesë e proceseve gjyqësore janë vet politikanët, por edhe persona që kanë lidhje me ta. Këtë konstatim të shoqërisë civile po e hedh poshtë kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.
Peci, në një intervistë për Ekonomia Online tha se në gjykatën që ai drejton nuk ka ndikime politike.
Kurse sa i përket raportit me Ministrinë e Drejtësisë tha se i kanë të mira në aspektin kompetencave që i ndërlidhin këto dy institucione.
“Në aspektin legjislativ, gjyqësori edhe gjykata ku unë punoj dhe kryesoj me të vërtetë nëse ne gjyqtarët jemi të vendosur në kuptimin e zbatimit të ligjit jemi të pavarur në kuptimin legjislativ. Ka raporte të ndryshme që mendohet se ka ndikime në sistemin gjyqësor. Po sinqerisht me ju thënë në Gjykatën Supreme nuk e kemi atë problem”.
“Sa i përket raportit me Ministrinë e Drejtësisë ne si gjykatë po edhe Këshilli Gjyqësor si organ menaxhues i gjyqësorit e kemi një raport të mirë, korrekt në kuptimin e kompetencave që na ndërlidhin. Normal që bashkëpunojmë me Ministrinë e Drejtësisë kur janë me rëndësi përgatitja e legjislacionit për gjyqësorin”.
“Kohët e kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe jemi duke i identifikuar ato problemet gjyqësore edhe sidomos në raport me reformën për gjyqësorin dhe sidomos në raport me ligjet që janë të rëndësishme për me ndryshuar e që kanë dal prej rishikimit funksional të sundimit të ligjit”.
Përderisa Ehat Miftaraj drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) në një intervistë për Ekonomia Online tha se sistemi gjyqësor i Kosovës nuk është i pavarur, e këtë sipas tij, po e thonë edhe raportet ndërkombëtare.
“Është fakt në dorë që jo vetëm raportet e shoqërisë civile, të organizatave jo qeveritare në Kosovë po edhe raportet ndërkombëtare më kredibile si Raporti i progresit, Raporti i Shtetit të Departamentit Amerikan, për të drejtat dhe liritë e njeriut, tani më edhe raporti Freedoom House e potencojnë në mënyrë të vazhdueshme që fatkeqësisht, sistemi gjyqësor, sistemi prokurorial në Kosovë nuk është i pavarur nga politika. Ose për me përkthyer më mirë, ka ndikime politike, ka ndërhyrje të papërshtatshme, qoftë të politikës, qoftë të grupeve të interesit në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial”.
Tutje ai tha se kanë vërejtur se Këshilli Gjyqësor kohëve të fundit ka qenë më transparent dhe llogaridhënës për dallim nga sistemi prokurorial tek i cili nuk kanë parë të njëjtin përmirësim.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi vazhdimisht e ka potencuar që Kosova ka gjyqtarë dhe prokurorë profesional, me integritet, të guximshëm por që fatkeqësisht nuk është që po vijnë në shprehje si rezultat ndoshta i menaxhmenti të këtij sistemi. Përderisa te Këshilli Gjyqësor kohëve të fundit kemi pa një transparencë, një llogaridhënie, një përmirësim të dukshëm të integritetit të njëjtin nuk po e shohim edhe tek sistemi prokurorial”.
Miftaraj tha se çdo deklaratë e konstatim nga deputetët, ministrat është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit gjyqësor e prokurorial.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi në vazhdimësi e ka potencuar që politika, deputetët, ministra qoftë i Drejtësisë, qoftë i Punëve të Brendshme apo çdo figurë politike që ka pushtet në vend nuk do të duhej në asnjë rrethanë të komentonte qoftë vendime gjyqësore qoftë rastet në proces sepse se si është e dizajnuar Kushtetuta e Kosovës, ndarja e pushteteve çdo deklaratë, çdo konstatim për një proces gjyqësor për një rast që është në procedurë konsiderohet ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit gjyqësor apo prokurorial”.
Edhe Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL”, në një intervistë për Ekonomia Online tha se raportet vendore si dhe ato ndërkombëtare po tregojnë që sistemi gjyqësor i Kosovës nuk është i pavarur.
“Sa i përket pavarësisë së gjyqësorit edhe raportet vendore nga shoqëria civile po edhe raportet së fundi të ndërkombëtarëve tregojnë që ka një ndërhyje dhe nuk ka një pavarësi të mjaftueshme gjyqësori. Këtu është për arsye të ndryshme po definitivisht si sistem gjyqësor vërehet një mungesë e pavarësisë dhe një mungesë vendimeve të pandikuara politikisht”.
Hoxha thotë se shqetësuese mbetet paaftësia e gjyqësorit e prokurorisë për të dhënë dënime të formës së prerë për rastet që kanë të bëjnë me korrupsion e që shpesh herë të akuzuar janë zyrtarë publik.
“Indikatorët kryesor të performancës së gjyqësorit dhe prokurorisë në këtë rast varen prej rasteve që ata i zgjidhin edhe dënimeve që japin. Pika kryesore dhe ajo shqetësimi më i madh i raporteve lokale dhe ndërkombëtare është pak a shumë mos aftësia e gjyqësorit edhe prokurorisë për të dhënë dënime të formës së prerë për raste të rënda të korrupsionit. Pra kjo është një prej kritikave kryesore, duket që në rastet e korrupsionit, janë zyrtarët publik të cilët janë të akuzuar prandaj edhe ndikimi i tyre në gjyqësor mund të jetë një prej arsyeve pse gjyqësori dhe prokuroria nuk po e kryejnë punën e tyre siç duhet”.
Tutje ai thotë se në vend kemi prokuror e gjyqtarë shumë të kualifikuar, por që fatkeqësisht nuk u jepet hapësirë atyre që janë profesional.
“Kemi jashtëzakonisht shumë edhe gjyqtarë edhe prokuror shumë të kualifikuar. Problemi kryesor që diskutohet është sa iu jepet hapësirë pikërisht atyre të cilët janë duke punuar dhe sa ka ndikime nga të tjerët të cilët mund edhe të jenë profesionist dhe mund të jenë të efektshëm, mirëpo për çfarë do arsye kanë një ndikim apo kanë një afërsi partiake politike”.
“Ndërsa ata të cilët janë profesional dhe janë jashtëzakonisht kompetent në punën e tyre, nuk iu ofrohet hapësira apo thjeshtë për shkak të një presioni politik që është bërë tek disa gjyqtarë që kanë tentuar me pru aktakuza të rëndësishme, veprimi kundrejt tyre nga kryeprokurorët e Këshillit Prokurorial e Gjyqësore ka tregu që në këtë pikë nuk vlerësohet nëse një prokuror apo një gjykatës e bënë e tij apo të saj siç duhet. Pra ka qenë një ndryshim i mentaliteti nëse mund ta quajmë dhe një pranim që çështjet e mëdha të korrupsionit mos të trajtohen me rëndësi të madhe nga sistemi gjyqësor e prokurorial”.