Prokurimi publik rrezikohet më së shumti nga korrupsioni dhe keqpërdorimi i parasë publike. Në tryezën e mbajtur në kuadër të Javës së Integritetit 2025 u diskutua për sfidat me të cilat përballen auditorët gjatë inspektimit të prokurimit publik, si dhe për gjetjet shqetësuese në këtë fushë.
rokurimi publik mbetet fusha me rrezikshmërinë më të madhe për t’u prekur nga korrupsioni, abuzimi me paranë publike dhe konflikti i interesit. Kjo u theksua në ditën e dytë të Javës së Integritetit 2025, ku u vu në pah se kjo fushë kërkon qasje më serioze në rritjen e transparencës dhe forcimin e integritetit të proceseve.
Të dhënat tregojnë se përballë sfidave dhe vështirësive, auditorët shpesh identifikojnë një numër të madh gjetjesh pikërisht në prokurimin publik.
“Këto 330 gjetje… vazhdon të mbetet fusha më kritike ku atakohet drejtpërdrejt integriteti i një institucioni dhe i zyrtarëve publik. Menaxhimi i kontratave, në total prej 330 gjetjeve, 213 kanë të bëjnë me menaxhimin e kontratave. Vazhdojnë të mbeten vonesat në zbatimin e kontratave në 84 raste”, tha Vlora Spanca, auditore e përgjithshme.
“Kam menduar se planifikimi dhe menaxhimi i kontratave janë ndër pikat më të dobëta, por në bazë të analizave, diskutimeve dhe monitorimit që kemi bërë, pjesa e parë – planifikimi – është thembra e Akilit e procesit të prokurimit dhe pika më e dobët e tij”, theksoi Osmani Vishaj, kryetar i Bordit të KRPP-së.
Kjo tryezë u organizua në kuadër të Javës së Integritetit nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Forumin Konsultativ të APK-së dhe shoqërinë civile.


