Lajme

Projektligji për Trustin/ Jashari tregon kur pritet të procedohet në Kuvend – ka një paralajmërim nëse vonohet

09/14/2022 17:57
nga:G B

Iniciuesi i peticionit për Trustin, Adnan Jashari, ka thënë se presin që me fillimin e sesionit vjeshtor, në Kuvend të procedohet projektligji që lejon tërheqjen e 30 % të Trustit.

“Si iniciues i peticionit për Trustin, pasi mbi 17 mijë nënshkrime na janë konfirmuar nga KQZ si të sakta, presim që me fillimin e sesionit të ri vjeshtor të Kuvendit, të procedohet shpejt projektligji që lejon tërheqjen e 30 % të Trustit. Kuvendi e ka obligim që menjëherë t’i dërgojë pyetje qeverisë, që të jep opinion brenda 30 ditësh për Nismën Legjislative, pastaj për të kaluar çështja në komision parlamentar e pastaj për procedim në Kuvend”, thotë Jashari.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se do të ndërmarrin aksione simbolike në lobim të kësaj çështje, derisa tregon se qytetarë nga e gjithë Kosova e pyesin se a do të votohet ky projektligj dhe t’i marrin paratë e tyre.

“Si grup për çështjen e Trustit, do të ndërmarrim aksione simbolike në lobim të kësaj çështje që të shkojë sa më shpejt në Kuvend dhe të votohet nga deputetët. Çdo ditë më shkruajnë qytetarë të ndryshëm nga e gjithë Kosova, dhe më pyesin se a do të arrijë shpejt prapë në Kuvend, a do të votohet, mezi nuk presin të votohet pasi po kalojnë gjendje të vështirë ekonomike”, shprehet ai për Gazeta Blic.

Jashari potencon se nëse procedimi i tij në Kuvend vonohet, do të thërrasin protesta.

“Në rast të vonimit me qëllim të procedimit në Kuvend do të detyrohemi që të thërrasim protesta dhe të protestojmë për gjendjen e vështirë si rezultat i moslejimit të tërheqjes së kursimeve”, deklaron Adnan Jashari./Gazeta Blic/