Qeveria e Kosova sot ka iniciuar Projektligjin për Mbrojtjen e Produkteve Themelore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky projektligj duhet të miratohet sa më shpejt, kur kihet parasysh gjendja e çmimeve në treg.
Ndërsa, ditë më parë edhe ministrja Rozeta Hajdari ka paralajmëruar masa për ngritjen e çmimeve, derisa ka thënë se mund të vendoset çmim tavan për produktet ushqimore, sikurse edhe për karburantet që po vendoset që një kohë.
Lidhur me këtë projektligj, për Gazeta Blic ka folur kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.
Ai thotë se qeveria është tani shumë vonë, pasi e ka humbur hapin.
“Çdo iniciativë duhet përshëndetur. Por, arsyetimi për urgjencën e hartimit/miratimit të Projektligjit flet se Qeveria që tani është vonë, e ka humbur hapin. Arsyetimi për nevojën e veprimit të shpejt nuk dëshmon për domosdoshmërinë e miratimit të ligjit as për momentumin. Nuk shoh se është bërë ndonjë studim i cili do ta dëshmonte arsyeshmërinë apo nevojën e hartimit dhe të vënies në veprim të Ligjit”, thekson ai.
Kaçaniku tregon se në MINT ekziston Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit.
“Pranë MINT-it ekziston (kur/nëse i lejohet) Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit (KMK). KMK-ja, në saje të propozimit të MINT-it është emëruar nga Kryeministri – natyrisht për t’i këshilluar, ose të paktën informuar. Si anëtar i KMK-së nuk jam në dijeni se KMK-ja është marrë në konsideratë lidhur me Ligjin e propozuar. Urgjenca nuk e arsyeton shmangien nga procedurat”, shton ai.
Sipas tij, para miratimit të projektligjit nga qeveria, duhet të kalojë procedurat e debatit publik.
“Para miratimit akcili ligj, edhe ky, duhet të kalojë nëpër procedurat demokratike të konsultimit/debatit publik. Në këtë proces gjithsesi duhet kyçur edhe qytetari/familja konsumatore dhe shoqëria civile e saj. Ligji nuk e kaluar as këtë filtër. Pa marrë parasysh arsyetimin me urgjencë procedurat e obligueshme demokratike, juridiko-ligjore-kushtetuese pamëshirshëm do ta ngadalësojnë procesin duke dëshmuar se Qeveria është vonë, se Qeveria nuk na ka dëgjuar qe dy vite e më shumë, se Qeveria më shumë merret me bizneset ligsht performuese nga aspekti fiskal se sa me qytetarin/familjen konsumatore, se Qeveria harxhon më shumë energji me opozitën që e shpie drejt dështimit se sa me obligimet mandatore dhe kujdesin ndaj ekonomisë, tregut, bizneseve…dhe qytetarit/familjes konsumatorë”, potencon Selatin Kaçaniku për Gazeta Blic.
Madje, ai shton se e kanë paralajmëruar qeverinë për mundësinë e falimentimit të qytetarëve të varfër dhe më pas e kemi njoftuar se ka falimentuar e që tani rrezikohet edhe shtresa e mesme.
“Qeverisë ia kemi paralajmëruar mundësinë e falimentimit të qytetarit/familjes konsumatore të varfër. E kemi njoftuar, pas injorimit nga Qeveria, se kjo kategori tanimë ka falimentuar dhe e rrezikon edhe shtresën e mesme. Qeveria akoma nuk na beson dhe na injoron”.
Por, a është i duhur ky projektligj?
“Si çdo ligj edhe ky ligj është i nevojshëm ”në kohë reale”, në momentumin që i takon. Para këtij Ligji, e për t’u zbatuar ky Ligj nevojitet konstruktuar tregun vendor/të brendshëm i cili nuk ekziston. Duhet ngritur zbatueshmërinë e ligjeve deri në maksimum dhe deri në nivel të parandalimit të implikimit ose abuzimit, të paktën të çdo individi politik; Duhet njohur e denjuar (deri te e drejta e vetos) qytetarin / familjen konsumatore”, vlerëson Kaçaniku.
Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori” për Gazeta Blic ka folur edhe për propozimin e ministres Hajdari për çmimin tavan ndaj produkteve ushqimore.
“Zonja Hajdari, ministre e nderuar e MINT-it (pa konsumatorin në akronim ?!), brenda Ministrisë e ka Infrastrukturën e cilësisë, Inspektoratin; Ligjet në disponim; DMK-në/ ZMK-në/ KMK-në…dhe shoqërinë civile të konsumatorit. I tejkaloi e anashkaloi të gjithë..?! Qeverisja ministrore ka procedura e kërcimet me apo pa shkop kanë dështime”, deklaron ai.
Sipas tij, ministrja këtë e bën për populizëm, derisa thotë se çmimi tavan nuk do të ketë ndikim në çmimet e produkteve.
“Qeverisja e kaluar në disa produkte të shportës e uli TVSH-në nga 16 në 8% e te disa e hoqi fare. Por, qytetari/familja konsumatore nuk e shijoi. TVSH-ja mbeti në xhepat e prodhuesve, tregtarëve, shërbyesve. Kërkuam korrigjim por as kjo Qeveri nuk frymoi. Pra, kemi problem me mentalitetin/mendësinë/logjikën mashtruese. Pse të ketë ndikim tani – me të njëjtit njerëz?”, thotë ai.
Krejt në fund, Kaçaniku shton se nuk do t’i bindë asnjë vendim i qeverisë për qytetarët, derisa tregon zgjidhjen e duhur.
“Asnjë vendim apo veprim, dokument pa qytetarin nuk do të na bindë. Konstituimi i tregut, zbatueshmëria 100% e ligjeve; Largimi i ndikimit politik nga të gjitha fushat me interes konsumator…do të ishte zgjidhja e vetme e duhur”, përfundon Selatin Kaçaniku./Gazeta Blic/


