Lajme

Projektligji për KPM-në, Panduri: Më shumë ka nevojë për edukim medial sesa për një ligj

07/15/2024 17:57
nga:G B

Me 59 vota për, dy abstenime e asnjë kundër, deputetët e Kuvendit e kanë miratuar projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).

Ky projektligj është kundërshtuar nga shumica e organizatave ndërkombëtare që merren me lirinë e medias.

Drejtori i Përgjithshëm i TV Dukagjinit, Ermal Panduri, thotë se është gabim mendimi që me një ligj mund të rregullohen të gjitha çështjet.

“Unë mendoj që ka media në Kosovë që shkelin me dy këmbë profesionin nuk po i quaj të gjithë engjuj, por a mendon që me një ligj mund të rregullohen të gjitha cështjet, unë mendoj që është gabim, më shumë ka nevojë për edukim medial sesa që ka nevojë për një ligj,” tha Panduri.

Panduri thotë se qeveria do duhej të provonte të ndihmonte mediat në kuptimin e përfshirjes në ligjin për sponsorizim para se të bënte këtë ligj.

Teksa shton se këtë e sheh si tendencë të pushtetit në raport me mediat por edhe me qytetarët.

“E shoh si tendencë të pushtetit në raport me mediat por edhe me qytetarët sepse tek neni 1 nuk përkufiziohet vetëm media por edhe individi që përbën një rrezik më vete, sepse në rast se dikush prodhon video ka mundësi të dënohet deri në 4000 euro bazuar në këtë cfarë shkruan në ligj pra në ligjin për Komisionin e Pavarur për Media,” ka thënë Panduri në “FIVE”.

Po ashtu, Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhjen për mosinkorporimin rekomandimet në tre projektligje vendimtare, atë për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.