Lajme

Projektligji për Byronë Shtetërore – larg standardeve kushtetuese

07/06/2022 14:20
nga:Vullnet Bugaqku

Vullnet Bugaqku

Nevoja për reforma të thella në sistemin e drejtësisë në Kosovë, ka kohë që është bërë urgjente, e madje edhe e pashmangshme. Përpos që nevojitet përmirësim i efikasitetit të institucioneve të drejtësisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka nevojë imediate edhe për krijimin e mekanizmave shtesë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Rastet e pakta të konfiskimit të pasurisë në procese penale kanë krijuar domosdoshmërinë e krijimit të një institucioni të ri i cili do të ishte më efikas për realizmin e konfiskimit të pasurisë së pajustifikuar të zyrtarëve publik, e veçanërisht atyre të niveleve të larta që mund ta kenë fituar pasurinë kundërligjshëm.

Në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën të vitit 2021 është theksuar se gatishmëria e organeve shtetërore të Kosovës për të konfiskuar pasuritë e paligjshme është e ulët.

Madje, është vlerësuar se mekanizmi i konfiskimit të pasurisë, i parashikuar nga Kodi Penal dhe legjislacioni përkatës ende nuk po përdoren plotësisht nga policia dhe prokurorët.

Raporti thekson që çështja e konfiskimit vazhdon të shihet vetëm si një aspekt ndihmës i procesit penal, dhe se koncepti i konfiskimit nuk po arrin të zbatohet si duhet nga gjyqtarët dhe prokurorët.

Por, le t’a shohim së pari kronologjinë e idesë për krijimin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme – i supozuar si mekanizëm që do t’a avancojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt fitues i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, gjatë tërë fushatës së saj kishte promovuar në mënyrë konsistente idenë e luftës kundër korrupsionit nga një sistem i i reformuar rrënjësisht i drejtësisë, në dy drejtime – përmes vettingut, si dhe hetimit, verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik në Kosovë që dyshohen se e kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Si rrjedhojë, Ministria e Drejtësisë kishte hartuar një strategji për sundimin e ligjit, ku ishte paraparë krijimi i një byroje për verifikimin dhe kontrollimin e pasurisë së pajustifikueshme, përmes miratimit të një projektligji për këtë institucion.

Ky projektligj i propozua nga Qeveria në fund të vitit 2021 përcakton modalitetet e krijimit të mekanizmit civil të konfiskimit në Kosovë, sipas të cilit pasuria e personave të caktuar mund të konfiskohet pa pasur nevojë për një dënim penal ndaj tyre, po qe se të njëjtit nuk arrijnë ta justifikojnë atë.

Projektligji, gjithashtu përcaktoi se ky mekanizëm do të zbatohet nga Byroja Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, që do të themelohet si institucion kompetent për verifikimin e pasurisë dhe zhvillimin e procedurave përkatëse pranë gjykatës.

Megjithatë, pas sjelljes së projektligjit në Kuvend, ashtu siç ishte deri diku e pritshme, kjo çështje ngjalli reagime dhe kundërshti të shumta, nga subjektet politike opozitare që shprehën hezitime të shumta mbi këtë projektligj.

Në një situatë të tillë, Kryetari i Kuvendit kishte referuar projektligjin në Komisionin e Venedikut – nga i cili ishte kërkuar vlerësimi i përputhshmërisë së projektligjit me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si mënyrë për uljen e tensioneve politike. Duhet theksuar se për këtë projektligj ka pasur kritika të mëdha edhe nga organizatat e shoqërisë civile, me arsyetimin se shumë dispozita të këtij projektligji bien ndesh me Kushtetutën dhe se nuk ka pasur konsultim të mjaftueshëm të publikut dhe akterëve tjerë në këtë proces.

Sidoqoftë, gjetjet e Komisionit të Venedikut konstatojnë shumë mangësi në çdo kapitull të këtij projektligji, madje duke e cilësuar atë si një dokument që nuk përmbushë as garancionet minimale kushtetuese e as standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Për më tepër, Komisioni i Venedikut potencoi se ky projektligj nuk siguron pavarësi të plotë të byrosë nga ndërhyrjet politike. Po ashtu, ngriti dilema nëse krijimi i byrosë do ta bënte luftën kundër korrupsionit më efikase apo vetëm sa do ta komplikonte sistemin aktual, si dhe dha vërejtje të shumta sa i përket standardit të të provuarit në procedurë të konfiskimit – duke theksuar se barra e të provuarit nuk duhet t’i takojë krejtësisht personit të dyshuar.

Si rezultat i vlerësimit të dhënë nga Komisioni i Venedikut, duket se nuk mjafton më vetëm vullneti politik i qeverisë për t’a shtyrë përpara këtë proces në përgjithësi dhe projektligjin në veçanti. Kjo për faktin se vërejtjet e Komisionit të Venedikut janë aq substanciale dhe serioze, saqë e bëjnë të domosdoshme nevojën për rishikimin e plotë të këtij projektligji në shumë aspekte.

Ministria e Drejtësisë, në procesin eventual të ridraftimit të këtij projektligji, duhet të sigurojë adresimin e të gjitha rekomandimeve të Komisionit të Venedikut, në atë mënyrë që funksionimi i kësaj byroje të ketë garancione të plota kushtetuese që parandalojnë ndërhyrjet politike. Me qëllim të përmbushjes së këtyre rekomandimeve, Ministria e Drejtësisë duhet të ofrojë transparencë të plotë, duke hapur fazën e konsultimit publik dhe duke përfshirë të gjithë ekspertët e fushës juridike, shoqëria civile dhe partitë politike parlamentare.

Për fund, është tejet më rëndësi që iniciativa të tilla ligjore nuk duhet të përdoren për qëllime politike. Ato duhet të reflektojnë konsensus të gjerë politik – si imperativ që ky mekanizëm të jetë i zbatueshëm në praktikë dhe që të mos nxisë polarizim politik e shoqëror.

Për Kosovën është jetike që ky mekanizëm të funksionalizohet si duhet, nëpërmjet kuadrit të duhur ligjor, në atë mënyrë që të forcohet sundimi i ligjit dhe që të ketë rezultate konkrete në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Pra, po, Kosovës i duhet një byro për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme. Por, Byroja duhet të krijohet në atë mënyrë që t’i mbijetojë kohës, të jetë e pavarur nga ndërhyrjet politike, të zbatojë procedura të drejta të hetimit dhe verifikimit të pasurisë dhe mos t’i shërbejë qëllimeve partiake për shantazhim të figurave politike ose zyrtarëve të ndryshëm publik.

(Autori është hulumtues në KDI)