Lajme

Progres raporti për Shqipërinë, BE: SPAK rezultate në hetimin e zyrtarëve të lartë

11/04/2025 12:36
nga:Y I

Euronews Albania ka siguruar progres raportin për Shqipërinë në Bashkimin Evropian.

Në dokumentin prej 102 faqesh, jepet vlerësimi lidhur me ecurinë e vendit në implementimn e reformës në drejtësi, luftën kundërr korrupsionit, zgjedhjet e të 11 majit dhe fusha të tjera.

Ndër të tjera në raport vlerësohet progresi i bërë nga vendi në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta.

“Rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë përmirësuar në rastet e nivelit të lartë, ndërsa kanë shënuar një rënie të lehtë në rastet e nivelit jo të lartë.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që përfshin Prokurorinë e Posaçme (SPAK), Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe gjykatat kundër korrupsionit e krimit të organizuar (të shkallës së parë dhe të apelit), ka konsoliduar më tej rezultatet pozitive në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimet për raste korrupsioni të nivelit të lartë, përfshirë ato që lidhen me politikanë dhe zyrtarë të lartë, si dhe me mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.

Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dha 24 vendime përfundimtare me 106 persona të dënuar, mes tyre 13 në raste të nivelit të lartë. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dënoi 93 persona për korrupsion. Kapacitetet e SPAK për hetime financiare janë rritur dhe përdorimi sistematik i hetimeve financiare e sekuestrimeve të pasurive është përmirësuar. Megjithatë, numri i referimeve nga autoritete të tjera duhet të rritet dhe kapaciteti i brendshëm i SPAK për të përballuar ngarkesën në rritje kërkon vëmendje të shtuar.