Lajme

Programi i bursave të BE-së mirëpret përfituesit nga Kosova

5 orë më parë
nga:G C

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe konsorciumi zbatues i përbërë nga Universiteti “Aristotele” i Selanikut dhe Instituti Kombëtar i Shërbimit Publik, kanë bërë përzgjedhjen e bursistëve për Raundin e XV-të të programit të bursave post-diplomike të BE-së për qytetarët e Kosovës.

“Për të shënuar këtë arritje sot në ndërtesën e Qeverisë, do të mbahet një ngjarje mirëseardhjeje. Ngjarja do të mbledhë së bashku përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, nga Qeveria e Kosovës, partnerët zbatues dhe fituesit e bursave të këtij viti. Kjo ngjarje do të shërbejë si një mundësi për të prezantuar parimet kryesore të programit dhe për të prezantuar zyrtarisht përfituesit e rinj të bursave”, thuhet në njoftim të Qeverisë së Kosovës.

Programi i BE-së dhe Qeverisë së Kosovës “Young Cell Scheme”, të bursave të BE-së post- diplomike për qytetarët e Kosovës, vazhdon të mbështesë mundësitë e arsimit të lartë për profesionistët e rinj, duke nxitur përsosmërinë akademike dhe duke forcuar kapacitetet e ardhshme udhëheqëse të Kosovës përmes arsimit të financuar nga BE-ja.

Bursistët do të kenë mundësinë të studiojnë programe master të financuara plotësisht në universitete të vendeve të BE-së në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë integrimin evropian dhe planifikimin e politikave, ligjin, administratën publike, menaxhimin e burimeve njerëzore, ekonominë, financën, menaxhimin, energjinë, mjedisin dhe ndryshimet klimatike, inxhinierinë elektrike, robotikën, shkenca të aplikuara, shkenca sociale dhe fusha të tjera akademike. Pas përfundimit të studimeve, të gjithë përfituesit do të punojnë në shërbimin civil të Kosovës për tre vjet.

Duke hyre në shërbimin civil pas përfundimit të studimeve, programi ndihmon për të siguruar që njohuritë e fituara të përdoren në mënyrë të dobishme në Kosovë./rtk