Lajme

Profesori serb: Kosova humbi nga politika joreale e Millosheviqit – për 6 muaj arrihet njohja reciproke

02/08/2023 23:48
nga:G C

“Kosova është humbur për shkak të një politike joreale që u bë për 10 vjet në kohën e Sllobodan Millosheviqit dhe kur në vitin 1999 shteti dhe ajo që e simbolizon shtetin e la Kosovën. Është e humbur nga aspekti që thjesht nuk mund të bësh asgjë për të. Dhe asnjë qeveri nuk mund ta bënte këtë. Autoritetet mund të kishin bërë diçka tjetër, t’i çonin në Kombet e Bashkuara, të organizoheshin dhe t’i ndihmonin materialisht… Kosova ishte alibi për dështimet e të gjitha politikave kur ai territor u mor në vitin 1999”, tha profesori në pension i Fakulteti i Shkencave Politike në Serbi, Çedomir Çupiq në televizionin N1.

Me rastin e negociatave me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, ai tha se është dhënë një afat prej gjashtë muajsh për të arritur njohjen reciproke përmes zgjidhjes së ofruar.

“Ajo që ndodhi në janar, ardhja e përfaqësuesve më të fuqishëm evropianë, së bashku me përfaqësuesen e SHBA-së dhe Lajçakut, është biseda e fundit dhe paralajmërimi i fundit. Besoj se nga ai moment koha po ecën që kjo të përfundojë, gjashtë muaj. Mund të shihni se në 30 vitet e fundit, gjithçka që lidhej me disa vende dhe probleme të caktuara – bisedimet zgjatën gjashtë muaj. Pas kësaj vijnë pasojat”, tha Çupiq.

Ai kujtoi se e njëjta gjë ndodhi në vitin 1999, kur përfaqësuesit e vendeve të fuqishme erdhën të parët, dhe pas tre muajsh patëm Rambujenë dhe “saktë pas gjashtë muajsh patëm fatkeqësinë që na ndodhi”.

“Në politikë, ata që nuk dinë çfarë është pushteti dhe interesi, thjesht nuk duhet të marrin pjesë në jetën politike. Fuqitë dhe perandoritë diktojnë kushtet dhe nuk ka drejtësi. Më pak të fuqishmit dhe të pafuqishmit, nëse nuk janë mjaft të ndjeshëm dhe nuk dinë si të dalin nga situatat që u paraqesin problem, do të vuajnë”, ka theksuar Çupiq.

Sipas fjalëve të tij, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare arritën të bëjnë një marrëveshje parimore me Albin Kurtin.

“Escobari menjëherë pas bisedës me Kurtin thotë: ‘Pranon apo jo Kurti, do të formohet Asociacioni i Komunave (me Shumicë, shën.red) Serbe’. Kurti as që duhet të jetë në atë vend. Ata mund ta bëjnë atë. Në fakt Kosova ekziston falë SHBA-së dhe nuk e fshehin. Dhe vetë populli i Kosovës e di këtë”, kujton profesori serb.

I pyetur nëse Serbia është pajtuar me planin e BE-së, Çupiq përgjigjet. “Ata u larguan të kënaqur, të buzëqeshur. Katër pushtetarët dhe Lajçaku që është ndërmjetësi… Kur ata vijnë, e dini se çfarë ndodh”.

Ai shprehet se “e drejta ndërkombëtare ekziston vetëm për të pafuqishmit dhe më pak të fuqishmit”.

“OKB-ja u themelua si një organizatë e të drejtëve, jo e fituesve. Churchill, i cili propozoi formimin, tha: ‘Ne, katër yjet, do të mbledhim 50 yje të tjerë dhe do të formojmë një organizatë që nuk do të lejojë më kurrë një individ të krijojë një situatë për të krijuar një luftë botërore’. Por ai nuk tha – luftërat lokale… Dhe ata të katër kanë të drejtën e vetos. Dhe e drejta e vetos përjashton drejtësinë. Prandaj, përderisa ekziston Këshilli i Sigurimit, dhe përderisa ekziston e drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit, nuk ka drejtësi”, theksoi profesori në pension i Fakulteti i Shkencave Politike në Serbi, Çedomir Çupiq.