Dje me 9 prill, Kushtetuta e Republikës së Kosovës bëri 15 vjet që nga miratimi i saj.
Profesori i të drejtës Kushtetuese, Muhamet Kelmendi, për Gazeta Blic, thotë se shkeljet kushtetuese konstatohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese, ani pse rendit disa nga shkeljet që mendon se janë bërë nga presidentja e kryeministri.
“Shkeljet kushtetuese janë çështje që konstatohen dhe vendosen vetëm nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Subjektet politike dhe një grupim i qytetarëve, sikundër dhe Avokati i Popullit, kanë të drejtë të ngritin padi. Vendimi është i Gjykatës Kushtetuese. A kemi shkelje nga qeveria dhe Presidentja e vendit? Shkeljet vendosen nga Gjykata Kushtetuese. Derisa të vendoset nga kjo gjykatë, të dy këto institucione e vazhdojnë punën, pa iu ndërprerë. Pa një verdikt nga kjo gjykatë nuk shkëputet puna e tyre”, thotë ai.
Sipas Kelmendit, dyshimet për shkelje të Kushtetutës nga presidentja janë për disa raste.
“Por, ku mund dhe a ka shkelje kushtetuese? Cilat janë dyshimet?
-Presidentja:
– Ka bërë disa shkelje kushtetuese, sidomos në kohën e inaugurimit, kur shkeli mbi barazim kushtetuese të heronjve të Kosovës.
– Nga pozita e të parës së shtetit u bë operacion për rregullimin e figurës së trupit.
– Po shkel dhe përkrah veprimet e dyshimta që po konsiderohen të dëmshme dhe jo ligjore të qeverisë.
a. Nuk po merr masa për shërimin e sistemit gjyqësoro-prokurorial.
b. Nuk po shkarkon të përfolurit dhe të akuzuarit në diplomacinë e Republikës së Kosovës”, vlerëson profesori për Gazeta Blic.
Ndërsa, sa i përket qeverisë, ai rendit shkeljet eventuale.
“Qeveria:
– Shkatërrimin e përfaqësimit diplomatik, në kundërshtim me ligjin, nëpër përfaqësimet diplomatike të Kosovës në botë.
– Spastrimin e organeve mbi bazën e akuzave se partitë opozitare e kanë kapur pushtetin dhe zëvendësimi i tyre me militantë të VV-së.
– Largimin e Kuvendit të Kosovës nga çështja e dialogut dhe të vendimeve me Serbinë.
– Mos aprovimi i qëndrimeve të aprovuara në raport me shtetin serb nga Kuvendi i Kosovës.
– Mos ndërmarrjen e masave për të shtrirë pushtetin Republika e Kosovës edhe në veri të vendit.
– Administrimi me mjetet e buxhetit të Republikës në kundërshtim me detyrat qeveritare dhe me nevojat ekonomike-sociale të qytetarëve të Kosovës”, deklaron ai.
Por, sipas Kelmendit, këto janë vetëm dyshime dhe jo shkelje kushtetuese, derisa nuk vendosen si të tilla nga Gjykata Kushtetuese.
“Megjithë kësaj, këto nuk janë shkelje kushtetuese. Duken se janë veprime të dëmshme! Kjo, për faktin, se asnjë dyshim, pa u vendosur në Gjykatën Kushtetuese, nuk është fakt. Me këtë verdikt dyshimet bëhen fakte”, potencon Muhamet Kelmendi./Gazeta Blic/


