Lajme

Profesori i shkencave të sigurisë- S’pritet të ketë tensione në veri, bandat kriminale e kanë humbur fuqinë!

04/19/2024 19:33
nga:Y I

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në një deklaratë dhënë së fundmi për media ka paralajmëruar tensione në veri të vendit.

Sipas Maqedoncit këtë e tregon edhe stërvitja që vijon prej 8 prillit në kufirin me Kosovën, ku ushtria serbe po teston armë sulmuese, pavarësisht se kamuflohet si një përgatitje për mbrojtjen e territorit.

“Vlerësojmë se këto tensione do të vazhdojnë. Mund të ketë forma të tjera, një ndër tyre që kemi vërejtur prej datës 8 prill deri më 21 është një ushtrim që ushtria serbe po kryen në pjesën jugore të territorit të Serbisë. Është një ndër më të mëdhatë që ka zhvilluar ndonjëherë ushtria serbe. Në kohën që ky ushtrim po realizohet dhe përdorimi i pajisjeve dhe sistemit të armatimit në këtë ushtrim paraqet kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan” deklaroi ministri Maqedonci raporton Gazeta Blic.

Në lidhje me këto paralajmërime për tensione ka folur për “Gazeta Blic” profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami.

Ai tha se shtimi i trupave të KFOR tregon për kujdesin dhe vendosmërinë për ruajtjen e kufirit tokësor dhe ajror tëKosovës .

“Unë po vërej se nga ana e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, janë duke paralajmëru se gjatë dhe pas zgjedhjeve mund të kemi tensione. Me vetë faktin se Serbia është duke bërë luftë hibride në raport me Kosovën pastaj në një moment të caktuar, po të ishte e mundur, me siguri do të vepronte edhe ushtarakisht. Mirëpo kur kihet parasysh që sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës e ruan KFOR-i sepse KFOR-i është i mandatuar me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244. Kemi parë edhe shtimin e trupave të KFOR-it dhe kjo tregon për kujdesin dhe vendosmërinë për ruajtjen e kufirit tokësor dhe ajror të Republikës së Kosovës” tha Islami.

Islami tha se nuk pritet të ketë tensione dhe se situata pas 24 shtatorit të vitit të kaluar është më stabile.

“Mirëpo që nga 24 shtatori i vitit të kaluar, gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës, është stabile sepse tashmë veprojnë institucionet e sigurisë së Kosovës të cilët janë duke zbatuar ligjet dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës. Unë nuk pres që të ketë tensione sepse thashë e kanë humbur fuqinë bandat e ndryshme kriminale të cilat ishin të drejtuara dhe sinkronizuara nga vetë Vuçiq” deklaroi Islami në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”

Avni Islami, Profesor i shkencave të sigurisë!

/Gazeta Blic/

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën