Lajme

Profesori i historisë: S’ka nevojë t’i jepet tokë shtesë Manastirit të Deçanit!

03/14/2024 09:20
nga:Y I

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, njoftoi dje në mbledhjen e qeverisë se i kanë dhënë të drejtë Agjencionit Kadastral që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit.

Kurti tha se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

“Qeveria e Kosovës i ka dhënë të drejtë sot Agjencionit Kadastral që ta zbatoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla i ka dërguar notë verbale Këshillit të Evropës, më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme atje, në prill asambleja parlamentare dhe në fund të majit këshilli i ministrave që vendos për anëtarësimin tonë”, tha Kurti raporton Gazeta Blic.

Në lidhje me këtë vendim të marrë nga qeveria ka folur për “Gazeta Blic” profesori i historisë së artit nga Deçani, Vesel Lekaj.

Lekaj tha se shqiptarët më herët ishin të krishterë dhe se manastiret ishin tonat por se toka nuk është e nevojshme t’i jepet shtesë Manastirit.

“Nëse vendimet e shtetit të Kosovës pranohen rreth këtij problemi i cili është qështje e Kosovës që duhet të pranohet edhe nga ndërkombëtaret dhe miqt tanë, atëhere edhe vlera kulturore dhe historike e këti manastiri të pranohen se është kulturë dhe histori e vjetër e Kosovës dhe e banorëve të saj shqiptar që nga mesjeta e hershme e në vazhdimsi, si me ndërtimtar, rojtarë, besimtar etj”

“Ne më heret ishim me besim të krishterë dhe këto manastire ishin tonat dhe tashmë edhe si histori e kulturë duhet të këmbëngulim që të jet e tillë. Tokë nuk ka nevojë ti ipet shtesë manastirit sepse edhe me rregullat kishtare ortodokse nuk ka nevoj as edhe nuk i ka pasur më shumë se 8-12 ha sepse ata nuk janë feudalë por gjat pushtimeve të vona u rrit presioni kunder shqiptarëve dhe banorëve vendës meqense nuk ishin më në fenë e vjetër” tha Lekaj për “Gazeta Blic”.

Në lidhje me këtë vendim, që u mor nga qeveria Kurti, ka patur reagime të shumta.

I ashpër ka qenë edhe kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Limaj tha se Kurti është rreziku kryesor për të ardhmen e vendit dhe se ka bërë çdo gjë vetëm për të arritur qëllimet e tij.

“Kurti rreziku kryesor për të ardhmen e vendit. Tanimë për të gjithë është e ditur që ky njeri nuk ka lënë gjë pa bërë e përdorur përmes manipulimit, mashtrimit e shpifjeve, vetëm për të arritur qëllimet e tij”, tha Limaj për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

Kurti: I kemi kërkuar Agjencisë Kadastrale ta zbatojë vendimin për Deçanin

Kelmendi pas vendimit për Manastirin- Ky është ‘sihariqi i sovranitetit të Qeverisë Kurti’