Lajme

Profesori britanik: Biden s’e ka “pastruar” rrëmujën e Trump në Kosovë

03/29/2023 20:21
nga:Astrit Gashi

Nuk u bind që të nënshkruaj marrëveshje me Kosovën në Bruksel, e as në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Për këto veprime, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u arsyetua duke thënë se nuk dëshiron të nënshkruaj marrëveshje ndërkombëtare me Kosovën.

Por, profesori britanik, Eric Gordy, thotë se qëllimi i të parit të Serbisë ka qenë diku tjetër.

“Arsyeja kryesore që Vuçiq nuk e ka nënshkruar marrëveshjen është se ai dëshiron të ketë diçka në dorë. Ai synon që të nxjerr përfitime sa më të mëdha nga kjo marrëveshje me Kosovën. Në anën tjetër Kurti është në një pozitë të vështirë, sepse para se të fillonte negociatat me Serbinë ka dhënë fjalë të forta, duke kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, por kjo nuk ka ndodhur. Prandaj çdo veprim që tani ai e ndërmerr duket sikur i ka thyer premtimet që i ka dhënë. Siç edhe mund ta shihni, Vuçiq akoma nuk ka ndërruar qëndrim sa i përket pavarësisë së Kosovës”, tha ai për Tëvë1.

Tutje, Gordy ka kritikuar pikën e 7-të të marrëveshjes, për shkak se siç thotë ai nuk është e definuar qartë.

“Ka konfuzion për fjalën “self-managment” për shkak të përkthimit nga gjuha angleze në gjuhën shqipe. Kjo ka të bëjë më shumë me një qeverisje lokale, por artikulli i shtatë mbetet i akoma paqartë për shkak së në të nuk definohet se çfarë karakteri do të ketë qeverisja lokale. Megjithatë, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht autonomi për komunitetin serb në Kosovë”, shtoi Gordy.

Mes tjerash, profesori britanik nuk sheh angazhim te mjaftueshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë proces.

Sipas tij, Presidenti Biden nuk ka arritur që ta “pastrojë” rrëmujën e shkaktuar në Kosovë nga administrata Trump-it.
“Fatkeqësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës po heshtin. Fillimisht Biden ka synuar që ta pastrojë rrëmujën që administrata e Trump-it e ka shkaktuar në Kosovë, por në fakt ai nuk ka bërë ndonjë gjë. Ndërsa, Bashkimi Evropian nuk mund t’i garantoj asnjërës palë integrim të shpejtë, prandaj e kemi edhe këtë situatë”, përfundoi ai.

Takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë, do të zhvillohet me 4 prill në Bruksel.