Lajme

Profesori amerikan: Pavarësia e Kosovës as që diskutohet në dialog

06/16/2021 15:16
nga:Q R

Profesori amerikan në Universitetin e New York-ut, Alon Ben Meir, ka thënë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, as që duhet të diskutohet pavarësia e Kosovës.

Ai e ka cilësuar si shenjë të mirë mbajtjen e takimit mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel, më 15 qershor.

Por, sipas tij, në tavolinën e bisedimeve, duhet të negociohet vetëm për pikat që çojnë në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Mendoj se mbajtja e takimit është shenjë e mirë. Andaj, jam i gëzuar që një takim i tillë ka ndodhur. Sidoqoftë është e rëndësishme të dihet konteksti i një takimi të tillë. Ndjesia ime kanë qenë gjithmonë që çdo çështje, çdo çështje konfliktueze mes dy palëve mund të vihet për diskutim në tavolinë, përveç një gjëje: Pavarësia e Kosovës. Kjo nënkupton se çdo negociatë mund të bëhet, përderisa ato çojnë në njohjen e Kosovës nga Serbia. Kështu e shoh unë. Nëse për këtë çështje nuk vendoset nga fillimi, palët mund të arrijnë progres të caktuar, por ajo nuk do të pasohej me atë çka Kosova do të dëshironte të shihte duke ndodhur. Prandaj, mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa e kanë bërë mjaft të qartë që qëllimi është njohja e Pavarësisë së Kosovës dhe atëherë Kosova do të ishte e përgatitur të diskutonte çdo çështje mes dy palëve, për të arritur atë objektiv”, ka thënë Ben Meir, në një intervistë për KosovaPress.

Tutje, eksperti amerikan, i profilizuar në çështjen e negociatave, tha se kryeministri, Albin Kurti, mund ta hedh përgjegjësinë e dështimit të dialogut mbi Serbinë, nëse kjo e fundit vazhdon të refuzojë Kosovën si shtet.

“Mirë, nëse është ‘kurrë’, atëherë BE duhet ta kuptojë atë shumë qartë. Unë e këshilloj Kurtin që të bëjë gjithçka që është në duart e tij dhe të fokusohet në zhvillimet sociale, politike dhe ekonomike në Kosovë. Të merret vazhdimisht me luftimin e korrupsionit dhe t’ia bëjë të qartë BE-së se Kosova është gjithmonë e gatshme të ulët dhe të negociojë, si dhe të bëjë të gjithë progresin e kërkuar për t’u integruar në BE. Duke bërë kështu, Kurti do të jetë në gjendje të vendos përgjegjësinë mbi Serbinë. Atëherë BE do të mendojë ndryshe, për aq gjatë sa Kosova të demonstrojë sinqerisht se është e gatshme të ulet dhe të negociojë çdo çështje konfliktueze, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përfshirë tregtinë, apo çdo gjë tjetër që ka nevojë të negociohet dhe BE të vijë në konkluzion se Serbia po refuzon të vijë dhe të njoh Kosovën, atëherë ajo duhet të rimendojë pozitën e saj dhe lidhjen me Kosovën dhe kjo do të bëjë presion për Serbinë. Nuk e kuptoj BE-në nëse nuk e merr një vendim të tillë, nëse Serbia vazhdon të refuzojë dhe të çojë sinjale se BE mund të fillojë procesin e integrimit me Kosovën. Kjo do të bënte presion domethënës mbi Serbinë”, deklaroi ai.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian mund t’i koordinojnë politikat e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë, duke vendosur kushte në rrugën drejt integrimit evropian.

“Pak më herët e përmendëm që ai ka thënë se kurrë nuk do ta njoh Pavarësinë e Kosovës. Çfarë mund të bëjmë tash? Ne mund t’i bëjmë dy gjëra. Kosova duhet të përgatis vetën dhe të plotësojë çdo kusht të kërkuar nga BE në mënyrë që të kualifikohet për integrim. Opsioni B: ShBA mund të vazhdojë të bëjë presion te Serbia. Në fund të fundit, Serbia dëshiron të bëhet anëtare e Perëndimit, prandaj duhet ta ndryshojë pozitën e saj”, përfundoi profesori Meir.

LEXO EDHE:

Vuçiq: Kuvendi i Serbisë diskuton për Kosovën më 22 qershor