Pranvera Breznica Selmani, prodekane për financa dhe infrastrukturë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ka thënë se asnjëherë nuk ka pranuar shumën prej 9 mijë e 100 euro në emër të avanceve për udhëtime zyrtar.
“Jo unë nuk kam pranuar këtë shumë, të gjitha pagesat janë kryer përmes xhirollogarisë dhe asnjëherë skam bërë kërkesë”, tha dëshmitarja Breznica-Selmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Një deklarim të tillë, ajo e ka dhënë derisa ishte duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Haki Gecaj në gjykimin ndaj zyrtarit të AKPPM-së, Mendim Sojeva dhe zyrtares së Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Ganimete Gashi– Ahmeti.
Sojeva po akuzohet për veprën penale të përvetësimit në detyrë, kurse Gashi – Ahmeti po akuzohet se në bashkëkryerje me Sojevën, kanë kryer veprën penale, hyrje në sistemet kompjuterike.
Prokuroria Speciale e akuzon Sojevën se i kishte përvetësuar mbi një milion euro, në emër të avanceve për udhëtime të ndryshme zyrtare.
Dëshmitarja Breznica-Selmani po ashtu deklaroi se asnjëherë e njëjta nuk ka marrë pjesë në udhëtime zyrtare të AKPPM-së dhe tha se asnjëherë nuk kishte bërë kërkesë për avanceve për këto udhëtime.
“A ka pas udhëtime nuk e di, unë nuk kam qenë asnjëherë pjesëmarrëse në udhëtime zyrtare të AKPPM-së”, ka thënë ajo.
Kurse, për një gjë të tillë ajo tha se kishte kuptuar kur Policia e Krimeve të Rënda Ekonomike e kishte njoftuar atë, për çka ajo tha se kishte qenë shumë e rëndë dhe tronditëse.
“Kam kuptu edhe më kanë tregu që është marrë një shumë e parave në emrin tim e absolut skam pas njohuri, kom pas informacion që kanë qenë njerëz tjerë te involvuar por që kam qenë pjesë unë e kësaj nuk e kom dit”, deklaroi tutje dëshmitarja Breznica-Selmani.
Breznica-Selmani, fillimisht ka treguar se në AKPPM ishte angazhuar si eksperte profesionale dhe me të njëjtit kishte pasur marrëveshje për shërbime të veçanta, duke shtuar se asnjëherë nuk ka pasur vend apo zyre aty për të punuar.
Tutje, ajo ka thënë se në AKPPM ka pasur për detyrë me i kontrollu fletë udhëzimet e pacientëve i cili sipas saj është material që quhet përmbledhje e karakteristikave të produkteve.
Për shërbimet e kryera ajo tha se të gjitha pagesat ishin realizuar përmes xhirollogarisë bankare për të cilat dhe sipas saj gjithmonë kishte pasur vonesa.
Në këtë seancë në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe zyrtari i Departamentit të Thesarit në Ministrinë e Financave Kujtim Krasniqi, i cili deklaroi se qëndron pranë deklaratave të dhëna më parë në prokurori.
Detyra e tij ai tha se ishte që pagesat që janë bërë prej organizatave buxhetore t’i nxjerrë në raporte apo ekstrakte për të cilat pagesa ai tha se organizatat buxhetore nga viti 2009 i regjistrojnë vet në sistem.
Për një regjistrim të tillë nga ana e organizatave, ai tha se secila organizatë posedon zyrtarët e financave e cila shkon prej kërkesës së zotimit ku më pas bëhet zotimi i mjeteve në sistem e ai ka treguar se është procesi i shpenzimit dhe procesi i certifikimit të pagesës në sistem.
“Pasi që të jenë të certifikuara ato pagesa në sistem neve na shfaqen në sistem, ne i procedojmë në ekstrakt-raport të pagesave dhe ato pastaj ja kemi përcjell IT për t’i përgatitur në CD dhe dosje fizike dhe pasi që janë përgatitur nga ana e tyre na kthehen tek ne CD-të dhe dosja fizike nënshkruhet dhe vuloset ajo dosje prej zyrtarit të thesarit, e njëjta futet në zarf dhe dërgohet në Bankën Qendrore”, ka thënë në vazhdim dëshmitari Krasniqi.
Sipas dëshmitarit Krasniqi, diku në muajin shkurt të vitit 2018, derisa menaxhmentit i thesarit kishte hyrë në sistem të vitit 2017 për të korrigjuar disa ekstrakte ishin shfaqur një numër i konsiderueshëm i mbylljes së avanceve të cilat sipas tij ishin bërë jashtë afatit kohor të paraparë me rregullore.
“Është fjala për mbylljet e vitit 2017 dhe në momentin kur jam futur në sistem të vitit 2017 dhe kam provuar me i fut ato korrigjime të mbylljeve në ekstrat, mua në sistem me janë shfaqur edhe një numër i konsideruar i mbylljes së avanceve të cilat atëherë janë bërë jashtë afatit kohor të paraparë me rregullore”, ka thënë ai.
Para se t’i fus ato korrigjime në ekstrakt, ai tha kishte vërejtur se kanë pasur një përshkrim në sistem të ngjashëm me një përshkrim vetëm si “Doc”.
“Nuk e di çka kanë dashtë me thon me këtë shkurtesë, kur jam futur tek njëra me detaje me pa çka u bo e kam vërejtur që ai fjalëkalimi-useri ka qenë i një koleges time në zyre aty Ibadete Shala dhe i kolegut tjetër Bali Morina, i kam shikuar 4-5 të ngjashëm dhe i kam vërejtur që figurojnë emrat e atyre dyve”, deklaroi tutje i njëjti për të cilët tha se ishin të habitur kur kanë parë emrin e tyre.
Ai tha se të njëjtit si zyrtarë të thesarit, nuk kanë pasur të drejtë ta bëjnë mbylljen e avanceve por sipas tij mbylljet është dashur ti bëjë vet organizata buxhetore.
Në sistem ai tha se ka kishte parë një user që si certifikues ka qenë M.Sojeva, dhe pas rikujtimit të deklaratës së tij nga prokurori Gecaj ai tha se qëndroj pranë asaj ku kishte thënë se certifikues ka qenë tani i akuzuari Sojeva.
Po ashtu në këtë seancë, si dëshmitar është dëgjuar edhe zyrtari për menaxhimin e pasurisë në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh) Hajzer Dobra, që i njëjti deklaroi se qëndron pranë deklaratave të dhëna më parë në prokurori.
Fillimisht i njëjti ka treguar në MSh punon që nga viti 2000 dhe qysh prej ditës së parë me aktemërim ka qenë zyrtar për menaxhim të pasurisë, ndërsa në vitin 2017 pas pensionimit të zyrtarit kryesor të financave-ZKF ai kishte marruar pozitën si ushtrues detyre i ZKF.
E në pozitën si u.d ZKF, Dobra ka thënë se detyrat kryesore kanë qenë menaxhimi i buxhetit të MSh-së.
Sipas dëshmitarit, Dobra AKPPM-ja ka qenë nën ombrellën e MSh-ës mirëpo i njëjti ka pasur autonomi të plotë për menaxhimin e financave ose kodit buxhetor të tyre.
Dobra ka thënë se xhirollogaria e AKPPM-së ka qenë e përbashkët me MSh mirëpo sipas tij, kodet kanë qenë të ndara.
Po ashtu, ai ka thënë se edhe çështjen e avancave e kanë menaxhuar vet organizatat buxhetore.
Tutje, ai bëri të ditur se më kërkesën për udhëtime zyrtare, zyrtari zotues i AKPPM-së ka bërë zotimin e mjeteve në bazë të kërkesës nga mbajtësi i buxhetit dhe me atë aprovim pas zotimit në Ministrinë e Financave janë dërguar lëndët për atë person që ka pas me udhëtua dhe i njëjti tha se mjetet nga kjo ministri janë derdhur në MSh.
E pasi që janë dal mjetet për udhëtim zyrtar, atëherë ai tha se arkëtari së bashku me lëndën ka ardhur në zyrën e tij dhe me një formular standard dhe e ka autorizuar të njëjtin për tërheqjen e parave që t’ia dorëzojë zyrtarit të autorizuar të AKPPM-së.
E sipas tij, në secilën fletë tërheqje ka qenë nënshkrimi i Mendim Sojeves.
Ai po ashtu ka thënë se ka pasur obligim që lëndën ta kontrolloj dhe verifikoj ku sipas tij tha se të gjitha lëndët i kanë pasur nënshkrimet përkatëse.
Dobra ka thënë se nuk ka pasur qasje në sistemin SIMFK dhe tha se nuk i kujtohet se sa ka qenë buxheti i AKPPM-së për udhëtime zyrtare.
Tutje, dëshmitari Dobra ka thënë se në janar të vitit 2018 nga një e-mail zyrtar i Ministrisë së Financave që iu kishte drejtuar MSh-së kishte mësuar se figuron një shumë diku 400 mijë euro që nuk janë mbyll avancet nga MSh.
Në atë e-mail ai tha se shënonte se “janë identifikuar avance të hapura që vetëm MSh arrin në 50% të shumës së avanceve të hapura në nivel vendi”.
Ndërsa, sipas tij me ndihmën e auditorit të brendshëm është verifikuar se avancet janë të AKPPM-së.
Më pas, ai tha se lidhur me këtë e kishte njoftuar kryeshefin ekzekutiv të AKPPM-së në atë kohë ku i njëjti ishte përgjigjur se është në dijeni për asgjë.
Po ashtu ai tha më 12 mars 2018 kishte pranuar një email nga Sojeva në të cilën ka shkruar se është duke punuar në mbylljen e avanceve ku sipas tij ka cekuar se gjatë javës së kaluar ka mbyllur avancet në vlerë prej 45 mijë e 402 euro të cilën email ai tha se e kishte pranuar pasi që ishte publikuar çështja e avanceve për mos mbylljen e tyre.
Ndërsa, për të akuzuarën Gashi-Ahmeti ai tha se e njëjta ka qenë zyrtare shpenzuese në MSh dhe e njëjta ka pasur lidhje me avance pasi që bënë shpenzime të avanceve pa leje të sekretarit permanent.
“Në rast të mungesës së zyrtarit të përhershëm që p.sh është në pushim, atëherë kryeshefi ekzekutiv duhet me bo kërkesë brenda asaj kohe sa mungon zyrtari i AKPPM-së ta bëjë zyrtari shpenzues i MSh-ës, që në këtë rast ka qenë Ganimetja, kërkesë të tillë nuk kemi pas” tha thënë dëshmitari Dobra.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 13 shtator të këtij viti.
Ndryshe, me këtë lëndë kishte qenë fillimisht i ngarkuar gjykatësi Valon Kurtaj, i cili edhe e kishte mbajtur seancën fillestare më 6 nëntor 2020, ku dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Por, pas avancimit të gjykatësit Ismaili nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin Special, ky rast ishte ndarë tek ai.
Për këtë arsye, sipas Kodit të Procedurës Penale, në rast të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor fillon rishtas.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva po akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.
Sipas PSRK-së, këto avanca i ishin besuar të akuzuarit Sojeva në menaxhim sipas pozitës së tij, ku shumën e përgjithshme prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Fatmir Kajtazi, e kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletë-tërheqje me rastin e pranimit për shumën 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.
Në aktakuzë përmenden shuma të ndryshme të parave. Për disa prej tyre thuhet se ekziston dokumentacion i kompletuar, ndërsa për disa të tjera jo, ku vetëm në vitin 2017, sipas prokurorisë, në emër të 40 zyrtarëve të AKPPM-së, ishin tërhequr 290 mijë e 430 euro, të cilët zyrtarë e kishin mohuar se i kishin pranuar këto shuma dhe se nuk ka dëshmi për pranim nga ana e tyre në emër të MSh-së.
E gjithë kjo shumë e avancave, sipas PSRK-së, ishte zotuar në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) me ID të përdoruesve Shkelzen Sadriu në vlerë 1 milion e 238 mijë e 764 euro, me ID të përdoruesit Naime Shahini-Feta shuma prej 173 mijë e 305 euro, të cilët zyrtarë kishin mohuar se kishin bërë këto shuma të zotimeve, duke dyshuar në të akuzuarin Sojeva, i cili sipas tyre i kishte keqpërdorur fjalëkalimet e tyre.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se regjistrimi i shpenzimeve për avancat në SIMFK ishte bërë me ID të Dhurata Alihajdaraj–Veseli, shuma prej 553 mijë e 269 euro, me ID të Thesarit, Ibadete Shala shuma prej 156 mijë e 750 euro dhe Bali Morina shuma prej 20 mijë e 850 euro, të cilët kishin mohuar se kishin bërë regjistrim të shpenzimeve të avancave duke e akuzuar të akuzuarin për keqpërdorim të fjalëkalimeve të tyre.
Sipas aktakuzës, aprovimi i tërheqjes ishte bërë nga zyrtari kryesor financiar në MSh, Musa Rexhaj dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar Hajzer Dobra, kurse nga e gjithë shuma e tërhequr, të përdoruesit të të akuzuarit Sojeva ishin certifikuar 779 mijë e 289 euro, për të cilat në AKPPM, nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.
Nga shuma prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra në emër të avancave, për 133 mijë e 940 euro, ekziston dokumentacion i kompletuar dhe gjysmë i kompletuar, kurse për avancat e tërhequra në vlerë prej 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, përveç fletë tërheqjeve të siguruara nga AKPPM dhe NLB, e të nënshkruara nga i akuzuari se i kishte pranuar, në AKPPM nuk ekziston asnjë dokumentacion se ato avanca ishin miratuar apo aprovuar nga menaxhmenti apo se cili zyrtar i kishte pranuar.
Kjo shumë e paarsyetuar si dëshmi, sipas PSRK-së ishte përvetësuar nga i akuzuari Sojeva, i cili i kishte pranuar ato para, duke i shkaktuar dëm buxhetit të AKPPM-së – Republikës së Kosovës.
Po ashtu, sipas PSRK-së, Sojeva në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në SIMFK dhe Ganimete Gashi-Ahmeti si zyrtare shpenzuese për qasje në këtë sistem, nga 7 shkurti e deri me 12 shkurt 2018, përmes ueb-shfletuesit “Internet Explorer”, kishin hyrë në këtë sistem me fjalëkalim të personave zyrtar të Ministrisë së Financave, kishin mbyllur avancat duke bërë regjistrimet si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka të emër të zyrtarëve të AKPPM-së me user të Bali Morinës.
Kështu, të njëjtit pretendohet se kishin regjistruar kuponë shpenzimi në vlerë 20 mijë e 850 euro, ndërsa në emër të Ibadete Shalës kishin regjistruar si shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare 72 kuponë në vlerë 154 mijë e 736 euro e 84 centë, në shumë të përgjithshme 175 mijë e 586 euro e 84 centë, me user të të akuzuarit Sojeva, duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të avancave të tërhequra nga Banka NLB, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.
Për këto veprime, Sojeva po ngarkohet me veprat penale “Përvetësimi në detyrë”, dhe në bashkëkryerje më të akuzuarën Ganimete Gashi–Ahmeti edhe për veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”.


