Njohësit e politikës në emisionin “Debat Plus” kanë përshëndetur hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga Bashkimi Evropian duke thënë se kjo është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe historike për shqiptarët. Po ashtu edhe ish-diplomati, Berisha ka thënë se dita e sotshme është rrugë e pakthyeshme drejt integrimit evropian.
“Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga Bashkimi Evropian është datë historike, pasi i vendosë këto dy vende në një rrugë të pakthyeshme në frymën evropiane dhe në kulturën evropiane”, ka thënë Anton Berisha, ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.
Ish-diplomati Berisha në emisionin “Debat Plus”, ka thënë se kjo datë është historike për të gjithë shqiptarët pasi që këto dy vende në përbërjen e tyre që kanë një popullatë shqiptare.
Sipas Berishës, populli shqiptar në këtë ditë me hapa të sigurtë bëhet pjesë e kësaj historie të civilizuar.
Ndërsa analisti Ymer Mushkolaj, ka thënë se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi që qysh para 8 vjetëve ka marrë statusin e kandidatit në BE.
Ndërsa sipas tij, Maqedonia e Veriut ka pasur një tregim tragjik.
“Vend kandidat qe 17 vjet, ky vend ka një tregim tragjik, qysh një shtet është dashur të ndërrojë emrin, gjuhën që të futet negociata në BE”, ka thënë Mushkolaj.
Sipas tij, është jashtëzakonisht problematike, për të ju përgjigjur të gjitha kërkesave të BE.
Ai ka thënë se kjo ditë e sotme është treguese e qartë që këto 8 vjet në Shqipëri nuk janë marrë vetëm me krim dhe kultivim të drogës, por edhe punë në procesin e integrimit evropian.
Ai ka thënë që edhe pse kjo ditë është arritur gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, nuk do të thotë që ai i ka rregulluar të gjitha me një pullë, por është një kontribut pasi ka ndodhur gjatë qeverisjes së tij.
Ndërsa analisti, Vehbi Kajtazi ka thënë se kjo është një ditë e jashtëzakonshme për Shqipërinë, pasi edhe kosovarëve i rrahë zemra më fortë për Shqipërinë.
“Na rreh zemra më fort për Shqipërinë, por edhe në Maqedoninë e Veriut në të cilën jetojnë një numër i madh i shqiptarëve”, ka thënë Kajtazi.
Sipas tij, kryeministri Rama është i njohur për simbolika të ndryshme.
Ai ka thënë se kur Edi Rama është zgjedhur kryeministër, është shkatërruar lazarati në Shqipëri.
“Shqipëria njihet si shtet i drogës, por kjo me gjasë nuk po shihet si pengesë për negociata në Bashkimin Evropian”, ka thënë Kajtazi.
Sipas Kajtazit, secili shqiptar është dashur t’i gëzohet kësaj dite sot.
Ai ka thënë se Kosova është shumë më përpara në aspektin pozitiv nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, por që sipas tij fati i Kosovësë lidhet me politikë dhe një proces të hapur me Serbinë.
Për Kajtazin, të gjithë në Shqipëri kanë dhënë kontribut për këtë ditë të sotme, sepse siç thotë ai në kohën e Sali Berishës, Shqipëria është anëtarësuar në NATO, ndërsa në kohën e qeverisjes së Ramës po ndodh procesi i negociatave.
Po ashtu edhe analisti Visar Ymeri, për këtë ditë ka thënë se është e rëndësishme për Shqipërinë edhe për rajonin.
Sipas tij, procesi i negociatave e rrit peshën e vendit në BE.
Ndërsa, analisti Ylli Hoxha ka thënë se Kosova këtë ditë po e sheh me simpati dhe xhelozi.
Sipas tij, lazarati e ka bërë Shqipërinë që ekonomikisht të përfundojë disa reforma më shpejt.
“Unë mendoj që vendimi i parë duhet që ky proces që ka prodhuar shumë krim të përmbyllet me legalizim të evitohet një nga pengesat e ardhshme”, ka thënë Hoxha.
Sipas Hoxhës, në Shqipëri më shumë ka buxhet tregtia e drogës se sa vetë shteti.
Ai ka thënë se Shqipëria duhet sa më shpejt të bëjë luftimin e krimit të organizuar për të ecur përpara drejt rrugës në BE.(RTV Dukagjini)


