Lajme

‘Problemet teknike’, ish-kryetari i KQZ-së: Dikush ka qenë i interesuar që pikërisht në ditën e zgjedhjeve në mesditë t’a pengojë procesin!

02/15/2025 10:59
nga:Y I

Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me problemin teknik që u shfaq në këtë institucion ditën e zgjedhjeve.

Baraliu tha se ky institucion ka qenë dhe mbetet i besueshëm pasi problemet teknike mund të ndodhin.

Ai tha se u vertetua se ndërhyrjet ishin nga jashtë .

“Ka qenë dhe ka mbet i besueshëm ai intitucion, KQZ-ja. Këto janë gjithsesi problemi që mund të ndodhin se janë të natyrës teknike, janë ndërhyrje nga jashtë, është vërtetuar, ato ndërhyrje mund të vijnë nga Rusia, Serbia por edhe bashkarisht ato të dyja por edhe nga dikush tjetër që ka interes që thjesht t’a minimizojë besueshmërinë e institucioneve tona dhe të proceseve. Ky proces shkoi mirë, u përgatit mirë, parafushata,fushata dhe dita e zgjedhjeve dhe dikush ka qenë i interesuar që pikërisht në ditën e zgjedhjeve në mesditë t’a pengojë dhe kjo është çështje teknike” tha Baraliu për “Gazeta Blic”.

Por sipas Baraliut, sa i përket problemit që ndodhi, duhet të ketë përgjegjësi dhe kujdes.

Ai tha se edhe KQZ-ja edhe Sekretariati duhet t’a kishin patur një plan B nëse eventualisht do të mund të ndodhte një problem i tillë.

“Por përgjegjësi dhe kujdes duhet të ketë, edhe KQZ-ja edhe Sekretariati i tij se nuk ka patur një plan B që nëse serveri nuk ka funksionuar ose nuk do të funksionin, është dashur t’a kenë një plan manual për përpunimin e të dhënave në mënyrë që mos t’i zhgënjejnë votuesit dhe subjektet politike” tha Baraliu në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.