Ministria e Pushtetit Lokal ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit.
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku.
Sadiku tha se hartimi i një Udhëzimi të tillë ka qenë tendencë e kryeministrit Kurti dhe ministrit të MAPL, Elbert Krasniqi për heqjen e fajit nga vetja për bllokimin e situatës në veri.
Ai tutje shtoi se problemet politike nuk zgjidhen me akte ligjore.
“Mendoj se ka qenë një tendencë e kryeministrit Kurti dhe ministrit të Pushtetit Lokal zotit Elbert Krasniqi që ta heqin fajin dhe përgjegjësin nga Qeveria për bllokimin e situatës atje dhe për detyrimin e kryetarëve që të qëndrojnë të mbyllur në ndërtesat komunale. Nëse do t’i kishin detyru kryetarët e komunave të jepnin dorëheqje i bie se këta po e pranojnë fajin që e kanë shkaktu një krizë atje dhe një lloj forme do të duhet të tërhiqen . Kanë zgjedhë një metodë tjetër, përmes peticionit që e lejon Ligji për Vetqeverisje Lokale neni 72 i tij”
“Në kuptimin formal është një e drejtë ligjore por në kuptimin politik është një gabim për faktin se e kaluara ka dëshmu se problemet politike nuk mund të zgjidhen me akte nënligjore dhe ligjore. Ato zgjidhen kryesisht përmes marrëveshjeve politike me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe përmes saj edhe me palën serbe. Çdo vendim tjetër dhe tendencë për t’a justifikuar përmes akteve nënligjore zgjidhjen e çështjeve politike e qon Kosovën nga një krizë e vjetër në një krizë të re” tha Sadiku për “Gazeta Blic”

Arbnor Sadiku, Analist
/Gazeta Blic/


