Lajme

Pritje për bashkëpunimin e presidentit Trump me Kosovën

01/22/2025 08:42
nga:Sh R

Në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të 47 të SHBA-së, Donald Trump, munguan krerët e institucioneve të Kosovës, Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca. Derisa nga zyra e Kurtit dhe Konjufcës nuk dhanë ndonjë shpjegim për mos pjesëmarrjen e tyre, presidentja Osmani tha se ka ndjekë një praktikë të shumë vendeve të tjera duke dërguar përfaqësues të tjerë nga zyra e saj.

“Siç ju kam informuar, në këtë ceremoni kam qenë e ftuar nga anëtarë të Kongresit dhe të Senatit. Meqenëse shumica dërmuese e shteteve siç keni mundur ta shihni dje sa i përket liderëve shtetëror që janë udhëheqësesh shtetesh janë përfaqësuar nga ambasadorët, të njëjtin model protokollar e kemi zbatuar edhe ne. Unë kam dërguar një delegacion Presidencial të udhëhequr nga shefja ime e stafit dhe këshilltarja për politikë të jashtme. Të shoqëruara nga ambasadori ynë në ShBA, Ilir Dugolli, kanë marrë pjesë në të gjitha aktivitetet inauguruese e të cilat në fakt akoma po vazhdojnë, përfshirë takime të ekipit që unë e kam deleguar dhe sapo të përfundojnë të gjitha takimet e tyre, ne do të lëshojmë një komunikatë ku do ta informojmë publikun për të gjitha këto takime”., tha Osmani.

Por, ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu, ka vlerësuar se Kosova duhet të forcojë lobimin e saj në SHBA duke shfrytëzuar cdo mundësi për të ndërtuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me administratën e presidentit Trump për të siguruar një mbështetje të vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës. Sipas tij, raportet e SHBA-së me Kosovën janë zbehur.

‘’Kosova duhet të forcojë lobimin e saj në Uashington dhe të shfrytëzoj cdo mundësi për të ndërtuar marrëdhëniet të drejtpërdrejta me administratën e presidentit Trumpt. Duhet një fokus më i madh në investimet Amerikane dhe një diplomaci aktive e cila mund të ndihmoj në sigurimin e një mbështetje të vazhdueshme nga SHBA-ja. Besoj se Kosova dhe Qeveria po ashtu edhe presidenca duhet në formën më urgjente të marrin kontakte dhe të jenë të fokusuara në lobimin e saj në Uashington sa më parë që është e mundur”., tha Xhakaliu, për rtv21

Presidentja Osmani ka thënë ndërkaq se Kosova ka mbështetjen e fuqishme të SHBA-së edhe pse së fundmi zyrtarët Amerikanë kishin kritika ndaj Kosovës për mos koordinim.

“Siç e dini, unë tashmë kam pasur mundësi që ta uroj personalisht presidentin Trump, gjatë vizitës në Paris dhe jo vetëm që ta uroj por njëkohësisht të kem edhe një bisedë përmbajtjesore me të lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajonin tonë, dhe rreziqet të cilat i kanosen këtij rajoni. Kam shprehur besimin e plotë në lidershipin e tij për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe me gjerë dhe për ta thelluar bashkëpunimin dhe jam e kënaqur dhe shumë optimiste pas asaj bisede”, tha Osmani.

Donald Trump i cili dje filloi mandatin e tij të dytë të presidentit të SHBA-së ka njohuri të shumta për rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe Kosovën vlerëson ish-ambasadori Skender Xhakaliut. Ai tha se presidenti Trump do të kërkojë zgjidhje konkrete ekonomike dhe politike midis Kosovës dhe Serbisë.

‘’Zgjedhja e presidentit Donald Trump mund të ketë ndikim të konsiderueshëm në procesin e Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi. Në mandatin e tij të parë Trump kishte një qasje pragmatike dhe të orientuar drejtë një marrëveshje ekonomike sic ishte ajo e Ushaingtonit dhe një zgjidhje politike afatgjate”, tha Xhakaliu.

Në Kosovë ndërkohë, qytetarët kanë mendimin se presidenti i SHBA-së Donald Trump do të jetë më i drejtpërdrejtë dhe do të kërkojë zgjidhje të shpejta.

Pasi dha betimin, presidenti i 47 i SHBA-së, Donald Trump mori disa vendime në mesin e tyre vendosi që SHBA të tërhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.